Mijëra emigrantë shqiptarë që kanë jetuar dhe punuar për dekada në Greqi po kalojnë nëpër sfida të mëdha në prag të pensionimit, pasi vitet e punës nuk po u ofrojnë të ardhura të mjaftueshme për një jetë dinjitoze.
Sipas një raportimi të medias greke, shumë prej tyre rrezikojnë të marrin pensione prej vetëm 300 deri në 400 euro në muaj, pavarësisht viteve të gjata të punës.
Problemi është i lidhur me legjislacionin grek, i cili kërkon 40 vjet qëndrim të ligjshëm dhe të përhershëm në Greqi për të përfituar pensionin kombëtar në mënyrë të plotë.
Për çdo vit që mungon nga ky kriter, shuma e pensionit reduktohet proporcionalisht.
Kjo paraqet një pengesë të madhe për emigrantët shqiptarë të gjeneratës së parë, shumica e të cilëve mbërritën në Greqi gjatë viteve 1990.
Mediat greke kanë intervistuar disa emigrantë shqiptarë, të cilët tregojnë se kanë punuar për dekada në bujqësi, ndërtimtari, pastrim të shtëpive dhe përkujdesje ndaj të moshuarve, por tani po përballen me pasiguri financiare në moshën e pensionimit.
A.Q., 62-vjeçar dhe aktivist për të drejtat e emigrantëve në Greqi, ka treguar se jeton në këtë shtet që nga viti 1992.
Ai ka theksuar se shumë gra shqiptare kanë punuar për vite të tëra nëpër shtëpi, duke pastruar, hekurosur dhe kujdesur për të moshuarit, por shpesh pa u regjistruar në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Sipas tij, kjo ka bërë që shumë prej tyre sot të mos kenë mundësi të përfitojnë pension të dinjitetshëm, pavarësisht kontributit të dhënë ndër vite në shoqërinë greke.