Lëvizja studentore në Serbi ka shpallur programin e saj politik, ku paraqet qëndrimet e saj për politikën e jashtme, interesat kombëtare, Kosovën dhe serbët në rajon, duke përfshirë Republikën Srpska.
Në seksionin që i kushtohet Kosovës, studentët e kanë shprehur qartë se synojnë të luftojnë për ruajtjen e saj si pjesë të Serbisë, duke u mbështetur në Kushtetutën serbe dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në program theksohet se do të vazhdojnë të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të lejojnë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. “Ne do të luftojmë për ruajtjen e Kosovës si pjesë e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244.
Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht të ashtuquajturën pavarësi të shpallur njëanshëm të Republikës së Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, citohet në program.
Një tjetër zotim i rëndësishëm në dokument lidhet me marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Studentët kërkojnë që të gjitha marrëveshjet t’i nënshtrohen një vlerësimi të kushtetutshmërisë në Serbi, dhe paralajmërojnë ndjekje penale për përfaqësuesit e institucioneve që, sipas tyre, janë përgjegjës për përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjeve që ata i konsiderojnë jokushtetuese dhe në dëm të Serbisë.
Programi gjithashtu parasheh angazhim për përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit.
Në këtë kontekst, dokumenti synon lidhjen administrative të vendbanimeve me popullsi serbe dhe përfshirjen e tyre në njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, për të siguruar autonomi më të madhe për këto njësi në raport me institucionet e Kosovës.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe komunitetit goran, për të cilin propozohet krijimi i kushteve për mbijetesën e tij dhe rithemelimi i një njësie të vetëqeverisjes lokale në zonat ku ky komunitet përbën shumicën.
Studentët kanë përfshirë gjithashtu në program mbrojtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore serbe në Kosovë.
Veçanërisht përmendet Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut, si dhe trashëgimia kulturore dhe fetare serbe dhe prona e Kishës Ortodokse Serbe.
Sa i përket pozitës së serbëve në rajon, programi parasheh vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Republikën Srpska, duke kërkuar ruajtjen e pozitës së saj kushtetuese dhe kompetencave të përcaktuara.
Dokumenti thekson të drejtën e vetos së Republikës Srpska në institucionet e përbashkëta të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe mbrojtjen e pronës së saj të luajtshme dhe të paluajtshme.
Studentët gjithashtu kërkojnë rishikimin e praktikës së deritanishme të zbatimit të kompetencave të Bonit nga Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, duke insistuar që zgjedhja e tij të bëhet në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe me pëlqimin e nevojshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Programi gjithashtu parasheh forcimin e lidhjeve ekonomike, industriale, infrastrukturore, energjetike, bujqësore, arsimore dhe kulturore me Republikën Srpska, si dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë publike.
Sa i përket politikës së jashtme, studentët deklarojnë se synojnë një politikë të bazuar në Kushtetutën e Serbisë me prioritete që i cilësojnë si parimore, të balancuara dhe pragmatike.
Ata zotohen për ruajtjen e neutralitetit ushtarak të Serbisë, duke iu referuar Rezolutës për Mbrojtjen e Sovranitetit, Integritetit Territorial dhe Rendit Kushtetues të 26 dhjetorit 2007.
Një nga pikat e tjera të programit është reforma në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në institucionet përgjegjëse për përfaqësimin diplomatik të Serbisë.
Studentët kërkojnë t’i jepet fund emërimeve politike, nepotizmit dhe partokracisë në diplomaci, duke theksuar nevojën për emërimin e personave me kualifikime dhe përvojë profesionale.
Programi përfshin edhe rishikimin e rasteve të dhënies diskrecionale të shtetësisë dhe pasaportave serbe, veçanërisht kur ekzistojnë dyshime të bazuara për korrupsion.