Aktivistët e ‘Liria ka Emër’ Protestojnë për Drejtësi në Prishtinë

Aktivistët e organizatës “Liria ka Emër” kanë realizuar një aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë, pas vendimit të Gjykatës Speciale lidhur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të tjerët.

Me moton “Evropë, ku është drejtësia?”, ata kanë përcjellë një mesazh për institucionet evropiane, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë zbatim të standardeve të dyfishta në procesin gjyqësor në Hagë.

Gjatë aksionit, përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Çlirim Haziraj, ka thënë se ky aktivitet nuk është një kundërshtim ndaj drejtësisë, por një thirrje për mbrojtjen e saj dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. “Ky aksion nuk është kundërshtim ndaj drejtësisë, përkundrazi është një qëndrim në mbrojtje të saj.

Ne besojmë që drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe nuk mund të udhëhiqet nga paragjykimet, e as të zbatohet me standarde të ndryshme, varësisht nga kombësia, historia apo përkatësia politike e të akuzuarve”, ka deklaruar Haziraj.

Ai ka shprehur shqetësimin e organizatës lidhur me respektimin e të drejtave themelore të njeriut, garancive procedurale dhe standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe brenda një afati të arsyeshëm.

Sipas Hazirajt, këto të drejta nuk janë privilegje që kërkohen për individë të caktuar, por garanci që duhet t’i takojnë secilit.

Gjatë deklaratës së tij, ai ka ngritur shqetësime për klimën politike dhe institucionale në raport me Kosovën, duke përmendur rastet e intonimit të këngëve çetnike në ambientet institucionale të BE-së dhe, siç u shpreh, tolerimin e retorikës që cenon dinjitetin e viktimave dhe të luftës së UÇK-së.

Haziraj ka theksuar se, kur këto zhvillime vendosen përballë mënyrës së trajtimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, lindin pikëpyetje për barazinë në zbatimin e standardeve të drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *