Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka shprehur kritika të forta ndaj politikave energjetike të Qeverisë së Kosovës, pas njoftimit se projekti për bateritë e ruajtjes së energjisë është shtyrë deri në vitin 2029.
Në një reagim të tij, Hoti rikujton anulimin e projektit të gazit dhe orientimin e mjeteve financiare drejt blerjes së baterive, duke theksuar se këto të fundit nuk prodhojnë energji, por vetëm e ruajnë atë.
Sipas tij, për të funksionalizuar një sistem të tillë, duhet fillimisht të sigurohen kapacitetet për prodhimin e energjisë elektrike. “Projektin e gazit e anuluan.
Mjetet i orientuan drejt blerjes së baterive, duke harruar një fakt themelor: bateritë nuk prodhojnë energji, por vetëm e ruajnë atë.
Fillimisht duhet ta kesh energjinë për ta ruajtur!”, ka shkruar Hoti.
Ai gjithashtu ka kritikuar shtyrjen e projektit të baterive deri në vitin 2029, duke e cilësuar këtë si dëshmi të vonesave në realizimin e projekteve energjetike. “Tani njoftojnë se edhe projekti i baterive është shtyrë deri në vitin 2029.
Pra, nga viti 2021 deri në vitin 2029, tetë vjet për të blerë disa bateri për ruajtjen e energjisë, ndërkohë që nuk kanë krijuar kapacitete të reja për prodhimin e saj”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Në përfundim, Hoti e ka cilësuar këtë periudhë si një bilanc të dështuar të politikës energjetike të Qeverisë: “Tetë vjet pritje, projekte të anuluara dhe energji e paprodhuar.
Ky është bilanci i politikës së tyre energjetike!”, ka përfunduar ai.