Në takimin e 14-të të Nismës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), të shefave të mbrojtjes, që u mbajt sot në Tiranë, komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, informoi vendet anëtare të DECI-t mbi rolin e misionit në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Gjeneralmajor Vergori paraqiti një pasqyrë të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë dhe aktiviteteve të përditshme të misionit, duke theksuar se ato bazohen në prioritetet e tij të reja operacionale.
Ai bëri të ditur se KFOR-i po vazhdon të optimizojë pozicionimin e forcave për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tij.
Procesi është gradual dhe bazohet në kushtet në terren, dhe mund të kthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e papritura ndikojnë negativisht në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.
Gjeneralmajor Vergori ritheksoi se KFOR-i mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij afatgjatë, të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe të lirisë së lëvizjes. “KFOR-i e kryen këtë detyrë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si institucione përgjegjëse për reagimin ndaj çështjeve të sigurisë,” njofton KFOR.
DECI, e themeluar në vitin 2012 nën udhëheqjen e Italisë, është një mekanizëm rajonal për bashkëpunim strategjik dhe ushtarak ndërmjet vendeve të rajonit të Adriatikut dhe Ballkanit Perëndimor.
Ajo ofron një platformë për diskutimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e qasjeve të përbashkëta në mbështetje të stabilitetit rajonal.