Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka dhënë një përgjigje ndaj raportimeve të disa mediave që pretendonin se zyrtarët e Policisë së EULEX-it kishin trajtuar në mënyrë të papërshtatshme armët e zjarrit gjatë ofrimit të mbështetjes logjistike dhe operative për Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin e Jakup Krasniqit.
Përmes një komunikate, EULEX-i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe i ka mohuar ato me forcë.
Misioni sqaroi se rasti për të cilin flitej kishte të bënte me një vizitë në paraburgim (rasti i Jakup Krasniqit), e cila ishte realizuar për arsye humanitare të domosdoshme. “EULEX-i thekson fuqishëm se zyrtarët policorë të misionit nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt, në asnjë moment”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, EULEX-i nënvizon se armët e zjarrit nga personeli i tij trajtohen në përputhje të rreptë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.