Një zjarr ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së dielës në një kompleks banesor në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj.
Si pasojë, janë evakuuar banorët, ndërsa një zjarrfikës ka pësuar lëndime.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, zjarri ka përfshirë një banesë në katin e katërt të ndërtesës.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 02:58, dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës.
Për shkak të rrezikut, ekipet emergjente kanë evakuuar banorët nga hyrja dhe ndërtesa, ndërsa janë ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Zjarri është shuar plotësisht rreth orës 05:15, dhe pas kësaj, banorëve iu është lejuar të kthehen në banesat e tyre.
Nga ky incident janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa një zjarrfikës ka pësuar djegie në dorë gjatë intervenimit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar në mesin e banorëve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë për të kryer veprimet e nevojshme hetimore.