Më shumë se 25 mijë qytetarë nga kategoritë e rrezikuara janë vaksinuar kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut, ndërsa rreth 77 mijë të tjerë kanë shprehur interesim për imunizim.
Procesi i vaksinimit po zhvillohet në një kohë kur vendi ka hyrë zyrtarisht në sezonin e gripit.
Sipas raportit më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, rastet e gripit janë rritur për 37,5 për qind brenda një jave, me numrin e përgjithshëm të të prekurve që ka arritur në 609. “Gjatë javës së 46-të, për herë të parë këtë sezon, është tejkaluar pragu i aktivitetit jashtësezonal dhe është shënuar aktivitet i ulët sezonal i gripit në nivel kombëtar. Është arritur pragu epidemiologjik i hyrjes në sezonin e gripit.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur për 6,7 për qind, ndërsa krahasuar me modelin e 16 sezoneve të fundit, rritja është 30,8 për qind,” – thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.
Me rritjen e rasteve, mjekët rikujtojnë rëndësinë e vaksinimit si një nga masat më efektive për parandalimin e komplikimeve nga gripi.
Mjeku Sedat Lumani thekson se vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar nga format e rënda të sëmundjes. “Që mos vijë deri te kjo: fëmijët e vegjël, gratë shtatzënë dhe të moshuarit mbi 60 vjet, njerëzit që lëngojnë prej sëmundjeve kronike siç është sistemi i frymëmarrjes, ata me bronkite kronike me astmë, dhe të gjithë ata që vuajnë prej sëmundjeve kardiovaskulare, duhet të vaksinohen.
Këto vaksina për këtë popullatë i jep shteti falas, sepse komplikimet për ata që s’kanë zhvilluar imunitet të mjaftueshëm mund të jenë shumë më të rënda” – u shpreh mjeku, Sedat Lumani.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, deri në përfundim të raportit janë vaksinuar 25,458 persona nga kategoritë e rrezikuara.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara më 13 nëntor, rreth 77 mijë qytetarë kishin shprehur interesim për vaksinim.
Procesi është përballur me vonesa në furnizim, ndërsa terminet janë hapur në përputhje me sasitë e vaksinave në dispozicion.
Pavarësisht vështirësive në furnizim, mjekët theksojnë se vaksinimi mbetet i rëndësishëm për mbrojtjen nga gripi.
Ata paralajmërojnë se dezinformatat dhe pasiguria rreth vaksinave mund të ndikojnë në vendimin e qytetarëve për t’u imunizuar. “Njerëzit që e kanë marrë, e kanë parë hajrin t’i them vaksinës dhe janë të interesuar.
Mirëpo, shumica e njerëzve që komunikojnë me anë të mjeteve elektronike, për fat të keq, tani me këtë inteligjencën artificiale, kanë drojë të madhe.
Mirëpo, këto vaksina janë të provuara, nuk janë vaksina sot për nesër, por janë me decenie ose me vite, dhe janë të provuara” – deklaroi mjeku, Sedat Lumani.
Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar më 21 tetor dhe realizohet në qendrat e shëndetit publik dhe institucionet e tjera të përcaktuara shëndetësore.
Sipas ISHP-së, gjatë javës së fundit janë regjistruar 154 raste të reja, më së shumti në Tetovë dhe Shkup.
Megjithëse aktiviteti i gripit aktualisht vlerësohet i ulët, autoritetet shëndetësore rekomandojnë vaksinimin në kohë, veçanërisht për kategoritë e rrezikuara, si dhe respektimin e masave të përgjithshme parandaluese.