115 qytetarët e parë janë veshur me uniformë ushtarake.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë rikthyer rezervistët pas gati tri dekadash, duke i bërë ata pjesë përbërëse të strukturës së shërbimit aktiv.
Që nga tetori i këtij viti, 115 qytetarë shqiptarë janë integruar në Forcat e Armatosura dhe do të shërbejnë nën uniformën ushtarake. “Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm për këtë vit kanë miratuar 363 kuota për ushtarakë rezervistë.
Kanë shprehur interes 148 kandidatë, nga të cilët 134 plotësuan dokumentacionin e nevojshëm për t’u bërë ushtarakë rezervistë në FA.
Nga këta, 115 u shpallën fitues për të vijuar si ushtarakë rezervistë në FA, të cilët u titulluan dhe u emëruan në detyrë,” tha kolonel Vladimir Jaupi, komandant i Qendrës së Personel Rekrutimit.
Kandidatët fitues kaluan një stërvitje dyjavore dhe tani janë në gatishmëri. “Strukturat morën të gjitha masat e nevojshme për t’i pajisur me uniforma.
Pas stërvitjes dyjavore, ata do të thërriten nga struktura e tyre në momentin që do të jetë e nevojshme prania e tyre,” shprehu majorja Denisa Pellumaj, përgjegjëse sektori në Qendrën e Personel Rekrutimit.
Por cilat janë strukturat për të cilat Forcat e Armatosura kanë më shumë nevojë për rezervistë? “Është forca tokësore dhe komanda e mbështetjes.
Janë strukturat që angazhohen në operacione të ndryshme, në ruajtjen e sigurisë së vendit, si emergjencat civile.
Këto janë strukturat dhe detyrat për të cilat kemi pasur nevojë për strukturën rezerviste.
Këto janë gjithashtu strukturat ku kemi bërë plotësimin më të lartë me rezervistë.
Në momentin që do të kemi nevojë për të plotësuar strukturat në misione jashtë vendit, ata do të jenë pjesë,” deklaroi Pellumaj.
Rezervistët do të shërbejnë midis 15 dhe 45 ditë në strukturën ku janë emëruar pranë FA-së, me një kontratë dyvjeçare me të drejtë rinovimi.
Ata do të paguhen rreth 4 mijë e 600 lekë për çdo ditë angazhimi në radhët e Forcave të Armatosura.
Mosha maksimale për t’u bërë pjesë e Forcës Rezerviste është 50 vjeç për ushtarët/detarët, 55 vjeç për nënoficerët dhe 60 vjeç për oficerët.