Një person me inicialet Endrit Azemi është arrestuar nën akuzën se ka mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë dhe duke organizuar fushata për mbledhjen e parave për trajtimin e tij shëndetësor.
Sipas Prokurorisë, ai arriti të grumbullonte rreth 190 mijë euro nga qytetarët përmes thirrjeve për ndihmë.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Gjilan, ka njoftuar se hetimet kanë nisur pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative.
Njësiti i Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka realizuar veprime hetimore nën dyshimin se i dyshuari ka trilluar sëmundjen me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror.
Sipas hetimeve, ai kishte organizuar fushata për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se ishin për trajtimin dhe rehabilitimin e tij shëndetësor.
Mbledhja e parave është bërë edhe përmes platformës GoFundMe.
Pas përfundimit të hetimeve, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Kosovës janë bllokuar.
Me vendim të prokurorit të shtetit, paratë e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në një vendim të gjykatës.
Gjithashtu, Policia ka njoftuar se për fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe në Gjermani, ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve.
Endrit Azemi është arrestuar më 21 nëntor 2026, dhe më 23 nëntor, Gjykata Themelore në Gjilan, me kërkesë të Prokurorisë, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së solidaritetit dhe humanizmit qytetar.