Atentati në Fier: Jakup Hasani operohet pas plagëve të marra, historia e hasmërive

Jakup Hasani ka kaluar me sukses operacionin për heqjen e katër plumbave që kishte marrë në trup gjatë atentatit të ditës së sotme, më 23 nëntor, në Fier.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Fierit, ai është dërguar në repartin e reanimacionit për mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, nën masa të rrepta sigurie.

Në këtë atentat, u vra Selami Hasani, vetëm disa ditë pas lirimit nga burgu.

Jakup, nipi i tij, u plagos gjithashtu.

Dyshohet se vrasja e Selami Hasanit, i njohur si Sel Çami, ka lidhje me hasmërinë e tij me Arben Isufajn, i njohur si Ben Qimja, një person me precedentë penalë.

Policia e Fierit po i ndjek autorët e ngjarjes, ndërsa një automjet i djegur është gjetur në fshatin Dermenas, i dyshuar se i përket vrasësve.

Selami Hasani kishte qenë i dënuar për vrasjen e Julian Isufajt, nipi i Ben Qimes, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002.

Hasmëria mes familjeve Isufaj dhe Hasani dyshohet se ka filluar vite më parë.

Selami Hasani ishte arrestuar pas 7 vitesh në kërkim dhe pas vuajtjes së dënimit prej 25 vitesh, u lirua me leje në vitin 2022 dhe e përfundoi plotësisht dënimin këtë nëntor.

Historia e hasmërive mes “Ben Qimes” dhe Selami Hasanit ka filluar pas vrasjes së babait të tij, Enver Isufajt, në vitin 1994.

Konflikti përfshiu një përplasje me Pirro Koçiun dhe dy kushërinjtë e tij, të cilët ishin të afërt me Selami Hasanin.

Babai i Ben Qimes, Enver Isufaj, u vra në një bilardo, duke përkeqësuar edhe më shumë situatën.

Për këtë ngjarje, Ben Qimja u bë një emër i njohur në botën e krimit në Fier.

Një ngjarje tjetër tronditëse ndodhi në vitin 2002 kur Selami Hasani vrau nipin e Ben Qimes, Julian Isufaj.

Pas kësaj, Ben Qimja u përfshi në një hetim që e çoi në arrestimin e tij si i dyshuar për vrasjen e Pirro Koçiut.

Aktualisht, Arben Isufaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Beratit, ndërsa policia ka ngritur postblloqe për të kontrolluar automjetet dhe personat që hyjnë në qytetin e Vlorës, me qëllim kapjen e autorëve të ngjarjes në Fier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *