Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të dukshëm në disa fusha, përfshirë transformimin digjital, harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe reformën e administratës publike. “Urime, i dashur Timço”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Gerapetritis, gjatë takimit ministror të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, duke vënë në dukje arritjet e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Takimi u organizua nga Greqia dhe morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve të BE-së dhe gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë ministrin Timço Mucunski dhe eurokomisioneren për Fqinjësi dhe Zgjerim, Marta Kos.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, nuk arriti të ishte e pranishme për shkak të grevës në trafikun ajror në Belgjikë.
Gerapetritis, në fjalimin e tij, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të momentumit në rrugën evropiane të vendeve të rajonit, duke shprehur kënaqësinë për interesimin e pjesëmarrësve.
Ai ripërsëriti mbështetje të vazhdueshme të Greqisë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, e cila filloi me Agjendën e Selanikut në vitin 2003.
Tema e diskutimit ishte ruajtja e momentumit të procesit të zgjerimit, me Gerapetritis që theksoi se ky momentum ekziston dhe dëshmohet nga diskutimet intensive për zgjerimin e ardhshëm.
Sipas tij, rajoni do të përfitojë nga ky proces transformues.
Ai theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e vetë Unionit. “Ballkani Perëndimor ndodhet në një udhëkryq shumë të ndjeshëm gjeopolitik, i pozicionuar mes Evropës Lindore dhe Mesdheut Lindor – dy zona që përfaqësojnë krizë ndërkombëtare”, tha ai. “Ballkani Perëndimor është i domosdoshëm për përmbylljen e unitetit politik të kontinentit tonë dhe krijimin e vazhdimësisë gjeografike të Bashkimit Evropian.
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, me të cilët ndajmë sfida dhe një të ardhme të përbashkët.
Prandaj, momentumit duhet të ruhet dhe të forcohet më tej”, përfundoi shefi i diplomacisë greke.