Kryetari aktual i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka pranuar se ka menduar për mundësinë e largimit nga posti i tij si lider i partisë.
Sipas tij, kryesia e ngushtë e partisë e mbështet vazhdimin e tij në këtë detyrë.
Në një intervistë në Click Plus, Taravari theksoi se 10 vjet janë të mjaftueshme për një individ të jetë aktiv në politikë.
Ai tha: “Nuk ka pas dyshime brenda partisë se a e drejtoj unë apo jo, por ka pas dyshime dhe dilema te unë.
Këtë e kam hapur në Kryesinë e ngushtë të partisë.
Jo që nuk jam i sigurt, por mendoj se çdo politikan ka një afat kur duhet të jetë aktiv.
Këtë e kam thënë edhe publikisht se 10 vjet për një politikan, është mjaftë”.
Më tej, ai zbuloi se nuk ka kundërkandidat për postin e kryetarit të ASH-së, por shtoi se nëse do të largohej 6 muaj para zgjedhjeve, kjo do të krijonte një klimë depresive mes anëtarëve të partisë. “Por me sa e shoh, unë nuk kam kundërkandidat, por edhe nëse del, është mirë.
Unë mendoj për opsionin B, që nëse nuk kandidoj, mendoj se duhet të kemi një person konsensual të cilin duhet ta përkrahim të gjithë.
Këtu e kam shqetësimin kryesor.
Se nëse kemi zgjedhje për 6 muaj, nuk është mirë dhe e shëndetshme për partinë që tërhiqesh dhe ajo krijon një farë depresioni në anëtarësi.
Sepse nëse zgjidhet kryetari i ri, atij i duhet 1-2-3 vjet për ta konsoliduar anëtarësinë”, tha Taravari.