Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë kanë regjistruar një rënie prej tre centësh gjatë kësaj jave, ndërsa pritet që deri në fund të saj të ketë një ulje të mundshme edhe për dy deri në tre centë për litër.
Kjo do të varet nga dinamika e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Zekim Istogu, ka deklaruar për KosovaPress se aktualisht një litër naftë kushton nga 1.70 deri në 1.72 euro, ndërsa benzina varion nga 1.34 deri në 1.36 euro.
Ai ka theksuar se rënia e çmimeve ka mundësi të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, megjithatë nuk është e garantuar, pasi çmimet në tregun vendas ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar. “Çmimi i naftës sillet nga 1.70 deri në 1.72 euro për litër, ndërsa ai i benzinës nga 1.34 deri në 1.36 euro.
Gjatë kësaj jave çmimet kanë rënë për tre centë.
Pritet që çmimet të bien sërish, pasi gjithçka varet nga çmimet që zhvillohen në tregun ndërkombëtar.
Pres që edhe dy deri në tre centë të ketë rënie të çmimeve deri në fund të javës, por kjo nuk është e sigurt,” ka thënë Istogu.
Në tregjet ndërkombëtare, çmimet e naftës kanë rënë në nivelin më të ulët në tre muaj, në një periudhë kur furnizimi global është rritur dhe tregjet kanë shtuar pritshmëritë për tepricë të ofertës.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, gjatë tregtimit të paradites së 24 nëntorit, nafta e papërpunuar Brent ka shënuar një rënie prej 0.8 për qind, duke u tregtuar me 88.62 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 27 gushti.
Po ashtu, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ka pësuar një rënie prej 0.8 për qind, duke arritur në 79.53 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 10 gushti.
Rënia në tregjet ndërkombëtare vjen në një periudhë të rritjes së furnizimit global dhe pritshmërive për tejkalim të ofertës ndaj kërkesës.
Në Kosovë, çmimet e derivateve kishin arritur deri në 1.91 euro për litër, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme që nisi më 28 shkurt.