Celebrimi i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë nga Sindikata 32BJ SEIU në New York

Sindikata amerikane 32BJ SEIU ka organizuar për herë të parë festimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në selinë e saj qendrore në Manhattan, New York, për nder të 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit.

Aktiviteti u mbajt më 21 nëntor 2026, dhe ishte organizuar nga punonjësit shqiptarë të sindikatës në bashkëpunim me drejtuesit e saj.

Në festim morën pjesë dhjetëra anëtarë shqiptarë që punojnë në sektorët e banimit dhe tregtisë, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA.

Presidenti i sindikatës, Manny Pastreich, përshëndeti të pranishmit, ndërsa urime dërguan edhe ish-këshilltari i Bashkisë së New Yorkut, Mark Gjonaj, ambasadori i Shqipërisë në Washington, Ervin Bushati, shefja e Misionit të Shqipërisë në OKB, Suela Janina, dhe përfaqësuesja e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, Adea Kocmezi.

Gjatë ceremonisë, 32BJ SEIU ndau çmime për zyrtarë, aktivistë të komunitetit shqiptar, si dhe diplomatë të Shqipërisë e Kosovës.

Programi festiv u shoqërua me valle dhe këngë tradicionale shqiptare nga Shoqata Rugova dhe Grupi i Valleve “Nora e Kelmendit”, ndërsa Mikel Marku, anëtar i sindikatës, interpretoi me çifteli.

Arlind Lela, përfaqësues në terren i 32BJ SEIU në New York, theksoi rëndësinë e këtij organizimi për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe vlerësimin e kontributit të punonjësve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. 32BJ SEIU është sindikata më e madhe e punëtorëve të shërbimeve të pronave në SHBA, me mbi 185 mijë anëtarë.

Sipas të dhënave të organizatorëve, rreth 30% e anëtarësisë së saj janë shqiptarë, ose afërsisht 60 mijë persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *