Në Gjykatën e Prizrenit ka vazhduar procesi i rigjykimit për Sead Halilajn, i akuzuar për vrasjen e rëndë të 19-vjeçares I.K.
Sipas aktakuzës, Halilaj dhe Senad Kullaj, vëllai i viktimës, e privuan nga jeta I.K. pasi ajo refuzoi të kthehej në shtëpi, ndërsa familja e saj nuk pranonte punën e saj si këngëtare dhe valltare në një lokal nate në Mitrovicë.
Halilaj ishte dënuar më parë me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë.
Aktgjykimi i shkallës së parë ishte shpallur më 24.02.2026, por çështja u kthye në rigjykim pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Pas rastit, Halilaj largohet nga Kosova dhe u ekstradua nga Britania e Madhe në Kosovë në gusht të vitit 2024, ku Prokuroria e Prizrenit ngriti aktakuzë ndaj tij për vrasje të rëndë.
Gjatë seancës, pas propozimit të avokatit të të akuzuarit, Fanol Krasniqi, u dëgjua eksperti mjekoligjor Musa Gashi, i cili sqaroi për plagët e konstatuara në trupin e viktimës dhe rrethanat e vdekjes.
Ai tha se në trupin e viktimës ishin konstatuar plagë të shumta prerëse dhe shpuese, të shkaktuara nga një mjet me teh dhe maje.
Eksperti theksoi se plaga në pjesën e përparme të qafës ishte plaga vdekjeprurëse, duke dëmtuar struktura të tjera deri në pjesën e pasme të qafës, përkatësisht unazat e qafës. “Për dallim nga plagët e tjera, kjo plagë e ka prekur edhe struktura të tjera në regjionin e qafës,” deklaroi eksperti.
Ai shtoi se plagët e tjera, përveç asaj në qafë, kualifikohen si lëndime të lehta trupore, por bashkë përbëjnë lëndime të rënda për shkak të gjakderdhjes.
Duke iu referuar plagëve në duar, eksperti tha se ka mundësi që ato të jenë plagë mbrojtëse.
Ai sqaroi se në bazë të plagëve, mund të supozohet se viktima dhe agresori janë përballur ballë për ballë, por nuk përjashtoi mundësinë që agresori të ketë qenë mbrapa viktimës. “Plaga prerëse shpuese në shuplakat e duarve mund të jenë vetëmbrojtëse, por pozicioni i viktimës dhe agresorit është ballë për ballë,” tha Gashi.
Gjatë pyetjeve të prokurorit Mehdi Sefa, eksperti tha se në raportin e autopsisë janë evidentuar nëntë plagë prerëse dhe shpuese në pjesë të ndryshme të trupit.
Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, dhe anëtarët Teuta Krusha dhe Sadije Selmani, aprobuan kërkesën e avokatit Krasniqi për dëgjimin e ekspertit Arsim Gërxhaliu, si dhe leximin e dëshmive të dëshmitarëve të dhëna më parë, duke refuzuar propozimin për dëgjimin e xhaxhait të viktimës, Rr.K., për shkak të mungesës së relevancës.
Sipas aktakuzës, Sead Halilaj akuzohet se më 04.06.2013, në Prizren, në bashkëkryerje me Senad Kullajn, ka privuar nga jeta I.K. në mënyrë mizore dhe tinëzare, për motive të ulëta.
Ata kishin udhëtuar nga Shkodra për ta vizituar I.K., e cila punonte si këngëtare dhe valltare në lokalin “Shtutica” në Mitrovicë, pronësi e Milazim Sylës.
Në orët e mëngjesit, pasi I.K. nuk pranoi të kthehej në shtëpi, Halilaj dhe Kullaj filluan ta godisnin me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë në kokë, qafë, kraharor, shpinë dhe duar.
Plaga në qafë i shkaktoi dëmtime të rënda, duke i shkaktuar vdekjen e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive.
Për këto veprime, Sead Halilaj akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.