Afati për Apelimin e Aktgjykimit ndaj Ish-Drejtuesve të UÇK-së Po Mbyllet

Sot përfundon afati për njoftimin e apelimit të aktgjykimit dënues ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë aktgjykimin e 16 shtatorit, duke i cilësuar dënimet e shqiptuara si të padrejta.

Ndonëse procedurat e apelimit parashohin afate të caktuara për palët, ende nuk dihet se kur do të përfundojë i gjithë procesi në Gjykatën e Apelit.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, palët fillimisht duhet të dorëzojnë njoftimin për apel, në të cilin parashtrohen arsyet e kundërshtimit të aktgjykimit.

Brenda 21 ditëve nga njoftimi për apel, kryegjykatësi ose gjykatësi raportues thërret një konferencë për çështjet që lidhen me procesin e apelimit.

Palët kanë 60 ditë për dorëzimin e dosjes së apelit, ndërsa nëse vetëm dënimi kundërshtohet, afati është 30 ditë.

Procedura vazhdon me dorëzimin e përgjigjeve dhe kundërpërgjigjeve, për të cilat janë përcaktuar afate të veçanta.

Rregullorja gjithashtu mundëson paraqitjen e provave shtesë, dhe Paneli i Apelit mund të caktojë mbajtjen e një seance nëse e konsideron të nevojshme.

Gjykata e Apelit ka mundësinë të lërë në fuqi, ta shfuqizojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes.

Nëse apelimi bëhet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë.

Aktgjykimi i Apelit duhet të shqiptohet brenda 60 ditëve nga parashtrimi i fundit i palëve, me mundësi të zgjatjes së arsyetuar të afatit deri në një muaj.

Sipas ligjit, apelimi mund të mbështetet në tri baza: gabimet juridike, gabimet faktike që kanë shkaktuar dështimin e drejtësisë dhe gabimet në përcaktimin e dënimit.

Pas vendimit të Apelit, palët kanë mundësinë të ndjekin edhe rrugë të tjera juridike pranë Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, në përputhje me kushtet ligjore përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *