Pas më shumë se 14 orësh debatesh të ashpra, përplasje politike dhe replikash mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka miratuar buxhetin e shtetit për vitin 2027 me 80 vota pro dhe 20 kundër.
Ky buxhet ka kaluar pragun historik të 10 miliardë eurove dhe përfshin Paketën fiskale me pesë projektligjet që e përbëjnë, të cilat parashikojnë ndryshime dhe shtesa në legjislacionin tatimor të vendit.
Të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita janë rrëzuar.
Seanca plenare e kësaj të enjteje ka qenë e shoqëruar me një atmosferë të tensionuar politike, ku në qendër të diskutimeve ishin projektbuxheti dhe ndryshimet fiskale, si dhe aktet normative të qeverisë për tubimet, që kanë shkaktuar debate të forta mes palëve politike.
Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar ashpër paketën antidhunë, duke e cilësuar si një përpjekje për të kufizuar të drejtën kushtetuese për protestë.
Nga ana tjetër, mazhoranca mbrojti nismën e qeverisë, duke argumentuar se masat synojnë parandalimin e akteve të dhunës dhe mbrojtjen e institucioneve, si dhe pronës publike dhe private.