Në Prizren, për nder të 28 Nëntorit, është përuruar shtatorja dhe sheshi me emrin e Shën Nënë Terezës.
Ceremonia e përurimit u mbajt pranë Katedrales “Zonja Ndihmëtare”, duke nderuar figurën e njohur të humanistes shqiptare me famë botërore.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, theksoi se kjo shtatore është më shumë se një veprë artistike; ajo përfaqëson një kujtesë të rëndësishme për vlerat njerëzore dhe humanitare që Nënë Tereza i përkrahte. “Kjo shtatore është një ftesë e përhershme për reflektim dhe një kujtesë e gjallë e vlerave që e bëjnë një shoqëri të vërtetë të qytetëruar.
Puna humanitare e Gonxho Bojaxhiut ishte një revolucion i heshtur i dashurisë.
Ajo sheh dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe varfërinë më të madhe e definon si ndjenjën e të qenit i padashur dhe i harruar,” tha Totaj.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, bëri thirrje që Nënë Tereza të shërbejë si model për të gjithë, ndërsa foli për sakrificën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës. “Le të shohim Nënë Terezën dhe zbulojmë shpirtin shqiptar.
Sakrifica e Jasharëve është një dhuratë e madhe që na takon.
Ajo duhet të respektohet nga të gjithë,” u shpreh Gjergji.
Don Shan Zefi, vikar i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, vlerësoi Nënë Terezën si një nga personalitetet më të shquara. “Ajo lindi shqiptare, por u bë qytetare e botës.
Rrënjët e saj të forta përkatësie dhe misioni universal janë veçori thelbësore të personalitetit të saj.” Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 dhe u shpall shenjtore nga Papa Françesku në vitin 2016.
Përurimi i shtatores dhe sheshit në Prizren u zhvillua për të nderuar trashëgiminë humanitare të saj.