Protesta e radhës në Tiranë, e organizuar për të shënuar Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, ka kaluar në momente tensioni para godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, kapsolla dhe bomba molotov drejt kordonit policor.
Fillimisht, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe nga aty kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.
Situata është përshkallëzuar më pak se një orë pas fillimit të protestës, kur disa prej protestuesve kanë hedhur mjete piroteknike dhe bomba molotov në drejtim të policëve të vendosur para objektit të Qeverisë, sipas raporteve nga mediat lokale.
Si përgjigje, efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën.
Pas përshkallëzimit të situatës, forcat e rendit kanë ndërhyrë për t’i larguar protestuesit nga bulevardi në drejtim të trotuarit.
Një pjesë e protestuesve janë zmbrapsur në drejtim të Urës së Lanës, ndërsa kanë filluar edhe shoqërimet e para.
Gjatë kësaj ndërhyrjeje policore, një qytetar ka marrë një plagë në kokë dhe ka pretenduar se është goditur me plumb gome.
Sipas të dhënave nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore gjithsej 50 persona.
Prej tyre, 17 janë efektivë policie, 21 protestues, gjashtë gazetarë dhe gjashtë kalimtarë.