Edicioni i gjashtë i “Big Brother VIP Albania” po afrohet, dhe një nga pyetjet më të mëdha është se kush do të ulet në kolltukët e opinionistëve.
Pas suksesit të edicionit të kaluar, produksioni duket se ka vendosur të ruajë një nga dyshet që ka pëlqyer shumë publikun.
Bëhet fjalë për Arbër Hajdarin dhe Monika Kryemadhin, të cilët pritet të rikthehen sërish në rolin e opinionistëve.
Burime të Prive By LS konfirmojnë se dyshja është pjesë e planeve për edicionin e gjashtë të spektaklit, dhe nëse nuk ka ndryshime, Arbri dhe Monika do të jenë sërish bashkë.
Sinjalet për rikthimin e tyre erdhën mbrëmjen e së shtunës gjatë emisionit “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku Selin Bollati përmendi festën e ardhshme të Top Channel, duke zbuluar se mes të pranishmëve do të jenë edhe Arbër Hajdari dhe Monika Kryemadhi.
Kjo deklaratë tërhoqi menjëherë vëmendjen e Orinda Hutës, e cila e pyeti nëse po konfirmonte pa dashje opinionistët e edicionit të ardhshëm.
Selin u tregua e kujdesshme, duke sqaruar se nuk po konfirmonte asgjë dhe se dyshja mund të ishte e pranishme në festë edhe thjesht si ish-opinionistë.
Megjithatë, informacionet që Prive By LS ka siguruar shkojnë përtej kësaj deklarate, duke konfirmuar se vazhdimësia e dyshes është skenari aktual për sezonin e ri.
Arbër Hajdari dhe Monika Kryemadhi krijuan një dyshe interesante gjatë edicionit të pestë, duke u kthyer në një prej elementeve më të komentuar të spektaklit.
Veçanërisht Monika solli një dimension krejtësisht tjetër të figurës së saj publike.
E njohur prej dekadash për angazhimin në politikë, ajo u shfaq më spontane, pa komplekse, me humor dhe me qëndrime të drejtpërdrejta, duke i dhënë publikut mundësinë ta njihte përtej profilit politik.
Nga ana tjetër, përvoja e Arbër Hajdarit në format dhe mënyra e tij e analizimit të lojës krijuan një kombinim interesant me karakterin energjik të Kryemadhit.
Batutat, mendimet e ndryshme dhe raporti i tyre në studio ishin ndër elementet që e bënë dyshen të pëlqyer.
Madje, vetë Arbri kishte deklaruar më herët në “Goca dhe Gra” se Monika ishte e preferuara e tij mes opinionisteve me të cilat kishte bashkëpunuar, pikërisht për natyrën e saj të pakompleksuar.
Edhe pas finales së edicionit të pestë, kur u pyetën për një rikthim të mundshëm, dyshja nuk e përjashtoi vazhdimësinë e bashkëpunimit.
Tani mbetet të shihet se kur produksioni do ta zyrtarizojë vendimin, por sipas burimeve të Prive By LS, gjithçka po shkon drejt rikthimit të dyshes Arbër Hajdari dhe Monika Kryemadhi në “Big Brother VIP Albania 6”.