Real Madridi përballë Villarrealit: Tensionet dhe pasojat e një ndeshjeje të trazuar

Real Madridi arriti të mposht Villarrealin, por ndeshja e zhvilluar ishte shumë më shumë se thjesht tri pikët e fituara.

Përjashtimi i Vinicius Juniorit, protestat e Jose Mourinhos dhe tensioni në fushë krijuan një atmosferë të nxehtë, që trajneri portugez dëshiron ta shmangë për të mos pasur pasoja për skuadrën.

Takimi përfundoi me gjashtë kartonë të verdhë dhe një të kuq për madrilenët, duke e kthyer fitoren në një mbrëmje të mbushur me polemika.

Mourinho është i shqetësuar se zemërimi i lojtarëve ndaj vendimeve të gjyqtarit mund të ndikojë në paraqitjet e ardhshme të ekipit. “Kur kërkon diçka në çdo aksion… gjyqtari është njeri dhe mund të bëjë gabime”, tha Juan Foyth pas ndeshjes.

Mourinho e përjetoi me nervozizëm fundin e takimit.

Trajneri portugez fillimisht festoi atë që dukej si goli i dytë i Viniciusit, por festa u shndërrua në zhgënjim pasi VAR-i anuloi aksionin dhe braziliani u përjashtua me karton të kuq.

Prej atij momenti, protestat u shtuan dhe tensioni u përhap në gjithë stolin e Real Madridit.

Mourinho vendosi të mbetet i heshtur për të shmangur kaosin.

Pas përfundimit të ndeshjes, sipas mediumit spanjoll “Marca”, ai zgjodhi të mos paraqitet para mediave për të shmangur deklaratat që mund t’i sillnin një sanksion disiplinor dhe të rrezikonin praninë e tij në El Clasico.

Në vend që ta shtonte polemikën me deklarata publike, trajneri zgjodhi heshtjen.

Megjithatë, shqetësimet për vendimet e gjyqtarit mbetën të pranishme brenda dhomës së zhveshjes.

Fitorja ndaj Villarrealit solli lehtësim për shkak të tri pikëve të rëndësishme, por ndjenja e pakënaqësisë ndaj arbitrimit vazhdoi të ishte e pranishme.

Mourinho e kupton se zemërimi i lojtarëve mund të jetë i kuptueshëm, por nëse nuk menaxhohet siç duhet, mund të kthehet në problem për vetë skuadrën.

Rasti i Vinicius Juniorit është shembulli më i qartë i pasojave që mund të ketë një mbrëmje e tillë.

Sulmuesi brazilian u kërkoi falje shokëve të skuadrës dhe tifozëve, por formulimi i raportit të gjyqtarit mund të ndikojë në masën e pezullimit të tij.

Pikërisht këtë skenar dëshiron ta shmangë Mourinho.

Ai nuk pret që futbollistët ta harrojnë menjëherë atë që ndodhi, por kërkon që ata të jenë në gjendje ta kontrollojnë zhgënjimin dhe të mos humbasin përqendrimin në ndeshjet e ardhshme.

Rreziku nuk kufizohet vetëm te një vendim i diskutueshëm apo te mungesa e Viniciusit.

Protestat e vazhdueshme, kartonët dhe reagimet e nxituara mund ta dëmtojnë skuadrën në një periudhë kur çdo pikë dhe çdo lojtar mund të jenë vendimtarë.

Real Madridi nuk mund të lejojë që çdo polemikë ta fusë në një cikël tensionesh dhe sanksionesh.

Mourinho dëshiron që skuadra ta shprehë përgjigjen e saj në fushë, duke mos lejuar që zemërimi ndaj arbitrimit të errësojë lojën dhe objektivat e sezonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *