Projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë vazhdon të përballet me të njëjtat sfida si projektligji i refuzuar më parë në vitin 2023, sipas vlerësimeve të Liridon Salihit nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Salihi ka theksuar se, ndonëse kjo nismë për ligjin daton që nga viti 2021 dhe projektligji aktual ka kaluar leximin e parë, ende ekzistojnë çështje që kërkojnë zgjidhje përpara se ai të kalojë në leximin e dytë.
GLPS-ja ka identifikuar tri dilema kryesore që duhen adresuar: zbatimi retroaktiv i ligjit dhe përcaktimi i datës së fillimit të zbatimit për zyrtarët e caktuar; mënyra e zgjedhjes së drejtorit dhe anëtarëve të komisionit mbikëqyrës; si dhe siguria juridike për qytetarët që mund të jenë subjekt i hetimit ose konfiskimit civil. “Për të njëjtat arsye për të cilat është rrëzuar projektligji i vitit 2023, janë të njëjtat dispozita që e bëjnë të kontestueshëm sërish këtë projektligj, nëse kalon si i tillë.
Janë të njëjtat dilema, të njëjtat problematika me projektligjin që është rrëzuar,” ka thënë Salihi në “Konfront” të KTV-së.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria që t’i marrë në konsideratë këto problematika dhe t’i zgjidhë ato gjatë procesit të mëtejmë të shqyrtimit të projektligjit.