Sean ‘Diddy’ Combs Transferohet në Burgun Federal pas Dënimit për Prostitucion

Sean “Diddy” Combs, i dënuar për vepra penale që lidhen me prostitucionin, është transferuar në një burg federal në Pensilvani.

Kjo vjen pas raportimeve se producenti i njohur po vazhdonte të shijonte një jetë luksoze në burg dhe se kishte pësuar lëndime në një përleshje në qendrën ku mbahej në Nju Xhersi.

Byroja Federale e Burgjeve në SHBA (BOP) ka vendosur të transferojë 56-vjeçarin Combs nga burgu FCI Fort Dix në FCI Allenwood Low, një institucion me siguri të ulët, i vendosur në jug të Williamsportit dhe rreth 250 kilometra në perëndim të qytetit të Nju Jorkut.

Një person i njohur me çështjen, i cili preferoi të mbetet anonim, konfirmoi këtë informacion për Associated Press.

Më pas, Agence France-Presse raportoi se një zëdhënës i Byrosë Federale të Burgjeve kishte konfirmuar transferimin e Combs nga Fort Dix në Allenwood Low.

Zëdhënësi i Combs, Juda Engelmayer, theksoi se “vendimet për vendosjen e të burgosurve merren nga BOP dhe ne nuk jemi në pozitë të flasim për rrethanat që lidhen me këtë transferim”.

Ai shtoi se “Sean mbetet i përqendruar në vazhdimin e jetës së tij dhe shpresojmë që koha e tij në institucionin e ri të jetë produktive dhe pa ndërprerje të panevojshme”.

Combs u dënua me katër vjet e dy muaj burg në një vendim të datës 2 korrik 2025, pasi u shpall fajtor për akuza që lidhen me transportimin e personave përtej kufijve shtetërorë për takime seksuale.

Gjatë gjykimit, dëshmitarët ofruan dëshmi tronditëse për dhunë dhe festa seksuale, të cilat Combs i quante “freak-offs”.

Kjo çështje shënoi një përballje të ashpër ligjore për njërën prej figurave më me ndikim në industrinë e muzikës dhe argëtimit.

Në shtator, NBC News raportoi se Combs po vazhdonte të shijonte disa aspekte të jetës si milioner edhe në burgun FCI Fort Dix.

Sipas raportimeve, ai kishte futur kontrabandë konjak Hennessy, kishte shfrytëzuar të burgosur të tjerë për t’i gatuar ushqimin, për të pastruar, për t’ia rregulluar shtratin dhe për t’i bërë masazhe.

Gjithashtu, dyshohej se kishte përdorur një telefon celular të futur ilegalisht në burg për të parë rrjetet sociale dhe fotografi nudo të një ish-të dashure.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *