Agim Ademi: Kosova në Rrugën e Ndryshimeve në Futboll dhe Sfida të Reja

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka diskutuar në një intervistë për agjencinë e lajmeve mbi paraqitjet e fundit të Kombëtares së Kosovës, procesin e ndërrimit të gjeneratës, si dhe afrimet e mundshme të futbollistëve të rinj.

Ai gjithashtu ka trajtuar largimet nga përfaqësuesja, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe çështjen e çmimeve të biletave për ndeshjet e Dardanëve.

Ademi ka shprehur se nuk është plotësisht i kënaqur me rezultatet e Kosovës në ndeshjet e fundit, duke vlerësuar se ekipi mund të ketë bërë më shumë, por ka shprehur besimin se përfaqësuesja do të luftojë për pozitën e dytë.

Ai theksoi se ndërrimi i gjeneratës po zhvillohet me luhatje të vogla dhe se FFK-ja është në bisedime me tre-katër futbollistë të tjerë që mund t’i bashkohen Kosovës.

Duke folur për ngarkesën e futbollistëve gjatë zhvillimit të katër ndeshjeve brenda një periudhe të shkurtër, Ademi ka thënë se ky ritëm paraqet sfidë si për lojtarët, ashtu edhe për organizimin e federatës. “Tani, puna e katër ndeshjeve të kombëtares ka qenë një intensitet të lartë.

Edhe katër ndeshje të luhen për kaq pak ditë, është pak shumë për futbollistët, edhe për të gjitha kombëtaret, jo vetëm për neve që jemi kombëtare e vogël.

Edhe për organizimin përmes federatës dhe të gjitha, është një sfidë e madhe dhe është dashur të kemi më shumë lojtarë.

Kur ke intensitet është kaq i shpeshtë, mund të them që nuk jam i kënaqur me rezultatet, por nuk është që kemi dështuar në këtë rast.

Mund të them që jemi në garë, jemi mirë.

Krahas kualitetit që e kemi, kemi mundur të kemi fitore dhe të bëjmë një hap pak më të mirë.

Gjithsesi, shpresoj dhe besoj që do të jemi në pozitën e dytë, sepse pozitën e parë e kemi të vështirë, ose mund të them që ndoshta është i paarritshëm në këtë rast, por prapë varet prej ekipeve,” tha Ademi.

Ademi është shprehur i kënaqur me procesin e ndërrimit të gjeneratës në Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se ky proces sjell sfida edhe për përfaqësueset më të mëdha, por Kosovës po arrin ta përballojë pa luhatje të mëdha. “Ndërrimi i gjeneratës vërehet edhe te kombëtaret më të mëdha që ka sjellë pak lëvizje ose pasiguri derisa të koordinohet ose konsolidohet ekipi.

Te ne, ndërrimi i gjeneratës po bëhet dhe, të them të drejtën, jam i lumtur dhe mendoj se po bëhet me jo shumë luhatje dhe ndoshta kjo ka ndodhur sepse kemi pasur vazhdimisht diçka të re,” theksoi Ademi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se FFK-ja është në bisedime me tre-katër futbollistë të rinj, por vendimi përfundimtar për përfshirjen e tyre i takon trajnerit dhe shtabit teknik. “Tani, kemi disa futbollistë me të cilët jemi në bisedime.

Sigurisht që mund të jenë anëtarë të Kosovës, por ne e kryejmë vetëm atë pjesë që lidhet me organizimin dhe marrëveshjet me lojtarët.

Në fund vendos trajneri, sepse ne ia ofrojmë trajnerit dhe shtabit tonë dhe ata vendosin.

Fjalën e fundit e kanë ata, ata cilët bisedojnë për anën profesionale,” sqaroi Ademi.

Duke komentuar largimet e disa futbollistëve, Ademi ka thënë se këto janë pjesë normale të zhvillimeve në futboll dhe ka vlerësuar kontributin e secilit prej tyre, duke theksuar se emrat e futbollistëve që kanë ndihmuar në ndërtimin e përfaqësueses duhet të mbeten të shënuar në historinë e futbollit kosovar. “Janë çështje normale për mua.

Secilit i dëshiroj sukses atyre që janë larguar dhe nuk janë më pjesë e kombëtares.

Kontributi i tyre gjithmonë ka qenë i pashlyer.

Dëshira ime ka qenë dhe është që të gjithë këta gladiatorë tanë dardanë, siç i quaj futbollistët e Republikës, që nga koha kur jemi krijuar si shtet dhe jemi pranuar si federatë në UEFA dhe FIFA, të shënohen me shkronja të arta në pjesën e futbollit të Kosovës që këta e kualifikuan Kosovën sepse kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që nga fillimi,” u shpreh Ademi.

Ai gjithashtu ka diskutuar për marrëdhëniet me Shqipërinë, duke theksuar se nuk ka vend për veprime prapa shpinës dhe se futbollistët shqiptarë duhet ta kenë Kosovën ose Shqipërinë si opsion kryesor. “Kjo çështje po trasohet dhe secili po e komenton siç dëshiron.

Për mua është me rëndësi që futbollistët shqiptarë opsion kryesor ta kenë Kosovën ose Shqipërinë.

Në këtë drejtim, nuk ka asgjë të keqe mes dy federatave dhe asnjëherë nuk është punuar diçka që mund të thuhet se është bërë prapa shpinës.

Këto gjëra nuk ndodhin.” Në fund, Ademi ka folur për çmimet e biletave për ndeshjet e Kombëtares, duke e cilësuar të tepruar reagimin e krijuar rreth kësaj çështjeje. “Unë mendoj që është e paarsyeshme gjithë ai pluhur që u bë rreth kësaj pune.

E kuptoj shumë mirë gjendjen ekonomike, sepse jetoj këtu.

Duhet ta kuptojmë një gjë: asnjëherë nuk ka ndodhur që biletat për një kombëtare të jenë më të lira se kaq, cilado qoftë ajo. Është një lloj degradimi i vetes nëse nuk e vlerëson veten.

Kosova i ka pesë ndeshje në vit.

Nëse secili tifoz, secili njeri, nuk e ka atë frymë që të japë 20 euro për pesë ndeshje, atëherë nuk është se e duam futbollin,” tha Ademi.

Kosova po vazhdon garën në Ligën e Kombeve, ndërsa FFK-ja po punon në përforcimin e përfaqësueses me futbollistë të rinj dhe në konsolidimin e ekipit për sfidat e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *