Analisti politik, Ylli Hoxha, e ka vlerësuar Bedri Hamzën si një administrator më shumë se sa si lider, duke theksuar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ia ka respektuar plotësisht lidershipin.
Në emisionin Debat Plus, Hoxha theksoi se PDK-ja duhet të vendosë nëse dëshiron të krijojë një lider që do ta udhëheqë partinë në përballjen politike me kryeministrin Albin Kurti, ose të vazhdojë me një figurë që kryesisht shërben për ta mbajtur partinë të bashkuar. “Unë nuk konsideroj që Hamza ishte lider i dobët”, tha Hoxha, duke shtuar se kapaciteti i tij për të krijuar kohezion dhe për ta mbajtur partinë të bashkuar duket se ka qenë më i vlerësuar sesa lidershipi i tij politik.
Ai theksoi se një parti politike e ka të vështirë të përparojë pa një lider të qartë, dhe se PDK-ja nuk mund të funksionojë me dy figura që pretendojnë të jenë liderë. “Partitë që nuk e kanë një lider e kanë shumë vështirë me pasë progres”, u shpreh ai.
Hoxha gjithashtu përmendi Kadri Veselin, duke theksuar se as Veseli nuk ka qenë lideri i vetëm i PDK-së.
Ai vlerësoi se partia tani duhet të vendosë nëse do të zgjedhë një lider që merr përgjegjësi dhe e çon përpara subjektin politik, ose një administrator që pret zhvillimet, pa marrë rolin e një udhëheqësi të mirëfilltë politik.