Ekipet snajperiste të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” kanë arritur të zënë vendin e nëntë në garën ndërkombëtare të qitjes me snajper “BORAN 8”, e cila u organizua në Turqi.
Në këtë eveniment morën pjesë 48 ekipe nga 22 shtete të ndryshme.
Sipas njoftimit të Policisë, ky rezultat tregon aftësitë e shkëlqyera të pjesëtarëve të njësisë nga Maqedonia në një konkurrencë të fortë, ku shtatë vendet e para u zënë nga ekipet turke, ndërsa vendi i tetë i takoi një ekipi nga Azerbajxhani. “Një rezultat veçanërisht mbresëlënës u arrit në disiplinën e qitjes me pistoletë, ku ekipi maqedonas grumbulloi gjithsej 2.098 pikë, dukshëm mbi mesataren e garës, e cila ishte 1.173 pikë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Përveç rezultateve sportive, ekipi i “Tigrat” u vlerësua edhe për sjelljen profesionale dhe frymën sportive, duke u përzgjedhur ndër tri ekipet më të mira në kategorinë “Fair Play”.
Sipas Policisë, pjesëtarët e njësisë e përfaqësuan denjësisht vendin në këtë garë ndërkombëtare, duke dëshmuar përgatitjen, profesionalizmin dhe respektin ndaj pjesëmarrësve të tjerë.