Dëshmitarët në gjyqin për zjarin në diskotekën ‘Pulse’: Prania e policisë para dhe pas incidentit

Dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja në gjyqin e 13 oficerëve të policisë të akuzuar për mosrespektimin e planit të veprimit në diskotekën ‘Pulse’ dhanë sot dëshminë e tyre për praninë e policisë para dhe pas zjarrit në diskotekë.

Njëri dëshmitar deklaroi se si i mitur u largua nga diskoteka për shkak të një kontrolli policor pak para shpërthimit të zjarrit, ndërsa një tjetër theksoi se pas incidentit pa oficerët e policisë duke ndihmuar me evakuimin dhe pastrimin e zonës.

Një i tretë dëshmoi se oficerët dhanë udhëzime se ku të transportoheshin të mbijetuarit.

Dëshmitari i parë, i cili ishte i mitur në momentin e incidentit, tregoi se mbërriti në diskotekë rreth orës 1:15 të mëngjesit dhe se ai dhe shokët e tij u larguan pasi morën lajmin për një kontroll policor jashtë. “Kamerieri erdhi dhe na tha se kishte policë jashtë”, tha dëshmitari, duke shpjeguar se ai dhe miqtë e tij ishin tashmë te dera në atë moment.

Ai theksoi se u ndalua para hyrjes nga një oficer policie, i cili mori të dhënat e tyre personale.

Sipas dëshmisë së tij, pikërisht në atë moment u dëgjua një thirrje nga brenda se kishte zjarr. “Dikush nga brenda bërtiti se kishte rënë zjarr dhe oficeri i policisë na tha të largoheshim me vrap nga vendi”, tha dëshmitari.

Kur u pyet nëse oficeri i policisë që e kishte identifikuar ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, dëshmitari tregoi me gisht nga i akuzuari, Marjan Radevski.

Ai konfirmoi se arsyeja për largimin e tij dhe shokëve nga diskoteka ishte se ishin të mitur dhe kishin mësuar për praninë e policisë jashtë.

Kur u pyet më tej nëse do të kishin qëndruar në diskotekë nëse nuk do të kishte pasur polici, ai u përgjigj pozitivisht.

Dëshmitari i dytë tregoi se atë mbrëmje shkoi fillimisht në kafenenë ‘Bulevar’, e më pas u nis me miqtë e tij për në diskotekën ‘Pulse’, ku mbërritën rreth orës dy të mëngjesit.

Ai theksoi se kishte disa persona të lënduar në tokë përpara hyrjes dhe se, së bashku me oficerët e policisë, mori pjesë në zhvendosjen e tyre për të liruar hyrjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *