Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një person me inicialet L.K. për një periudhë prej 48 orësh, i dyshuar për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Ndalimi u realizua më 22 tetor, pas zhvillimit të hetimeve në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës.
Gjatë hetimeve janë zbatuar masa të veçanta hetimore, të cilat përfshijnë shitjen dhe blerjen e simuluar të artikujve, shërbimeve apo sendeve, me qëllim mbledhjen e provave për veprimtarinë e dyshuar kriminale.
Prokuroria ka bërë me dije se deri në këtë fazë të hetimeve, dyshohet se dëmi i shkaktuar viktimës kalon shumën prej 50 mijë eurosh.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit planifikon të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Rasti po trajtohet nga Prokuroria në koordinim me AKI-në, Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera kompetente.