Deklaratat e Kryetares së Gjykatës Supreme të Holandës mbi Vendimin e Gjykatës Speciale

Kryetarja e Gjykatës Supreme të Holandës, Dineke de Groot, ka theksuar se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të shqyrtohet përmes mekanizmave të sistemit ligjor.

Në një intervistë për KosovaPress, De Groot ka shprehur se është informuar për aktgjykimin dhe ndikimin që ky vendim ka shkaktuar në Kosovë.

Megjithatë, ajo ka theksuar se nuk është në kompetencën e saj të komentojë përmbajtjen e këtij vendimi gjyqësor. “Mësova për të dhe e di se si po ndikon këtu në Kosovë.

Besoj se ju të gjithë së bashku do të mund të reflektoni në një mënyrë që i shërben sundimit të ligjit.

Brenda sistemit ka shumë mundësi për të reflektuar mbi këtë vendim dhe është e rëndësishme që kjo të bëhet”, ka deklaruar De Groot.

Kryetarja e Gjykatës Supreme të Holandës ka nënvizuar rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive ligjore kur një vendim gjyqësor konsiderohet i padrejtë.

Sipas saj, kundërshtimet ndaj vendimeve gjyqësore duhet të shprehen dhe trajtohen brenda kornizës së sistemit të drejtësisë. “Nuk më takon mua të komentoj mbi gjykimin, por është e rëndësishme të theksohet se, sa herë që dikush mendon se një vendim nuk është i drejtë, është e rëndësishme që kjo të thuhet në shtetin tuaj dhe të shfrytëzohen mundësitë që ofron sistemi ligjor”, tha De Groot.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Sipas vendimit të shkallës së parë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u dënuan me nga 25 vjet burgim.

Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u dënua me 18 vjet, kurse Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Trupi gjykues shpalli fajtorë për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Ndërkohë, katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të provonte ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në procedurën e apelit.

Ish-krerët e UÇK-së e kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kundërshtuar konstatimet e trupit gjykues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *