Avokati Besnik Berisha ka bërë të ditur se ka revokuar autorizimin për të mbrojtur Gani Gecin, duke akuzuar se gjatë procedurës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është ushtruar presion mbi klientin e tij për të pranuar fajësinë në këmbim të mundësisë për të ndërprerë paraburgimin.
Në një reagim publik, Berisha e ka cilësuar përvojën e së premtes si një nga rastet më të rënda të karrierës së tij të gjatë prej 17 vitesh si avokat.
Ai theksoi se Geci, që ka probleme të rënda shëndetësore, ishte sjellë nga spitali në prokurori me duar të lidhura, dhe, siç pretendon avokati, liria e tij u lidh me pranimin e fajësisë.
Berisha ngriti pyetje mbi arsyetimin e paraburgimit, duke thënë se gjykata e kishte bazuar këtë masë në rrezikun e pretenduar të përsëritjes së veprës penale, dhe jo në rrezikun e arratisjes apo ndikimit në prova. ‘A pushoi rreziku se ekzistuari, apo pranimi i fajësisë u bë çelësi për hapjen e derës së burgut?’, pyeti Berisha.
Ai paraqiti një kronologji të veprimeve procedurale, duke pretenduar se Geci fillimisht e kishte mohuar veprën penale, por vetëm pak minuta më vonë kishte pranuar përgjegjësinë penale dhe ishte propozuar arritja e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Sipas avokatit, në orën 12:36 përfundoi marrja e parë në pyetje, gjatë së cilës Geci mohoi se kishte kanosur ndokënd.
Berisha tha se në procesverbal kishte kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe atë që ai e konsideronte përdorim të paraburgimit si presion për pranimin e fajësisë.
Në orën 13:05, sipas tij, filloi marrja e dytë në pyetje, ndërsa në orën 13:10 ai revokoi autorizimin dhe u largua.
Procedura, sipas kronologjisë së avokatit, përfundoi në orën 13:16 me pranimin e përgjegjësisë penale dhe propozimin për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë. ‘Dy procesverbale.
E njëjta vepër penale.
Dy deklarime të kundërta.
Vetëm pak minuta ndërmjet tyre’, shkroi Berisha.
Ai theksoi se nuk po gjykon vendimin personal të klientit të tij, por praktikën që, sipas tij, mund ta vendosë një person në mes të zgjedhjes për të qëndruar në paraburgim ose për të pranuar fajësinë me shpresën për t’u liruar. ‘Kjo nuk është drejtësi që kërkon të vërtetën.
Kjo rrezikon të jetë drejtësi që kërkon dorëzimin’, ka deklaruar avokati.
Berisha kërkoi reagim të menjëhershëm nga Kryeprokurori i Shtetit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe institucionet kompetente për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së veprimeve të prokurorëve.
Ai kërkoi që të verifikohen rrethanat në të cilat është propozuar pranimi i fajësisë, raporti i pretenduar mes këtij pranimi dhe qëndrimit të prokurorisë për paraburgimin, gjendja shëndetësore e Gecit dhe mënyra se si është siguruar vullneti i tij.
Sipas Berishës, nëse vërtetohet se paraburgimi është përdorur si mjet presioni për të siguruar pranimin e fajësisë, duhet të ketë përgjegjësi konkrete disiplinore dhe penale, në përputhje me përgjegjësinë e secilit.
Në fund të reagimit, avokati tha se vendimin për t’u tërhequr nga mbrojtja e kishte marrë për të mos vënë emrin dhe dinjitetin e tij profesional në shërbim të një procedure që, sipas bindjes së tij, cenonte parimet e drejtësisë penale. ‘Me mirë ta humbasësh një klient duke mbrojtur parimet, sesa t’i humbasësh parimet duke mbajtur një klient’, ka shkruar Berisha.
Ai përmbylli reagimin me thirrjen që përgjegjësia penale të vërtetohet para gjykatës, duke theksuar se të drejtat themelore duhet të mbrohen edhe kur një person akuzohet për vepër penale. ‘Fajësia duhet të provohet për t’ia marrë njeriut lirinë, jo të pranohet për t’ia kthyer atë!’, përfundoi Berisha.