Investimet e Qeverisë në Ushtri: Një Prioritet për Sigurinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka planifikuar të investojë më shumë se 1 miliard euro në forcimin e ushtrisë gjatë këtij mandati.

Kryeministri Albin Kurti e theksoi rëndësinë e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë ceremonisë së betimit të 515 ushtarëve të rinj.

Ai e cilësoi këtë gjeneratë si më të madhen ndonjëherë. “Sot, këtu në kazermën ‘Adem Jashari’, ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të festuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës.

Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të FSK-së, njëherazi gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë. 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes,” tha Kurti.

Ai theksoi se betimi i ushtarëve është një simbol i vendosmërisë së popullit për të mos u nënshtruar dhe për të mbrojtur lirinë e fituar.

Kryeministri nënvizoi se flijimi i dëshmorëve na obligon të ruajmë të vërtetën historike dhe të krenohemi me luftën tonë çlirimtare.

Kurti theksoi se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe zhvillimi i saj është detyrim për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve dhe sovranitetin e vendit. “Për këtë arsye, rritja e forcimit të ushtrisë ka qenë dhe mbetet një prioritet i qeverisë sonë.

Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë.

Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.

Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj dhe jemi duke arritur kapacitetet ushtarake që ishin paraparë për vitin 2028.

Pra, kemi përshpejtuar realizimin e objektivave tona strategjike për dy vjet.

Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro dhe kemi mbështetje ajrore me dronët Bayraktar dhe Skyguard,” tha ai.

Në këtë ceremoni, komandanti i Qendrës së stërvitjes, Besnik Thaçi, theksoi se FSK është një forcë profesionale dhe moderne. “Prej sot, ju do të mbani mbi supe jo vetëm uniformën e FSK-së, por edhe besimin e një populli që pret nga ne shërbim vetëmohues dhe profesionalizëm.

Të dashur rekrutë, detyra, nderi dhe atdheu janë themelet e forcës sonë.

Ju presin mundësi të shumta për zhvillim profesional dhe për të përfaqësuar shtetin tonë në çdo mjedis që do të shërbeni,” tha Thaçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *