Më 25 tetor, në Serbi do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për Parlamentin, i cili përbëhet nga 250 ulëse.
Koalicioni Shqiptar do të garojë si subjekti i vetëm politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës me numrin rendor 17.
Po ashtu, serbët nga Kosova do të kenë mundësi të votojnë në vendvotimet që janë vendosur në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Votuesit duhet të kenë me vete letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme, ndërsa njoftimi zyrtar për votim nuk kërkohet, pasi kushti i vetëm është regjistrimi në listën zgjedhore.
Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 18 lista.
Sipas Komisionit Zgjedhor Republikan, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 6 milionë e 450 mijë e 523, ndërsa votimi do të organizohet në gjithsej 8 mijë e 392 vendvotime.
Ndër këto, 29 vendvotime ndodhen brenda institucioneve korrektuese.
Serbët nga Kosova mund të votojnë në 60 vendvotime në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Statusi i regjistrimit mund të verifikohet nëpërmjet portalit zyrtar të listave zgjedhore, duke përdorur numrin unik të identifikimit të qytetarit dhe numrin e letërnjoftimit.
Pas përfundimit të votimeve, brenda 96 orëve, Komisioni Zgjedhor Republikan do të përgatisë dhe publikojë një raport të plotë mbi rezultatet e zgjedhjeve.
Ky raport do të përfshijë numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar, numrin e votuesve që kanë votuar, numrin e votave të vlefshme dhe të pavlefshme, si dhe numrin e mandateve parlamentare të fituara nga secila listë zgjedhore.