Vrasje tragjike në Pejë: Gruaja humb jetën pas denoncimit për dhunë në familje

Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:10, ndodhi një ngjarje tragjike në Pejë, ku një grua humbi jetën.

I dyshuari për këtë vrasje, ende ndodhet në arrati.

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, për momentin dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. “Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës gjithashtu thekson se dy orë para vrasjes, viktima kishte njoftuar për dhunë në familje. “Sot, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë është njoftuar për një rast të dhunës në familje, i cili ka ndodhur në fshatin Vitomiricë, në Pejë.

Viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar.

Po ashtu, është arrestuar dhe intervistuar edhe personi i dyshuar (bashkëshorti i viktimës), i cili është ndalur në mbajtje për 48 orë.

Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë.

Rreth orës 21:10, jemi njoftuar se e njëjta është gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës”.

Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *