Nëntë persona, përfshirë disa shtetas shqiptarë, janë vënë nën hetim në Itali në kuadër të një operacioni të organizuar nga Drejtoria Anti-Mafia (DDA).
Ky operacion ka zbuluar veprimtarinë e një grupi të dyshuar kriminal, i cili dyshohet se organizonte trafik droge dhe ekspedita ndëshkuese, madje edhe nga brenda burgjeve.
Sipas hetimeve të Skuadrës Fluturuese të Shtabit të Policisë së Bolonjës, grupi dyshohet se përdorte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh dhe telefona celularë që ishin futur ilegalisht në burgje për të koordinuar aktivitetet e tyre kriminale.
Me urdhër të gjyqtarit hetues, gjashtë persona janë vendosur nën masa sigurie, mes të cilëve katër shqiptarë dhe dy italianë.
Sipas të dhënave të publikuara, bëhet fjalë për një shqiptar 39-vjeçar, tashmë të ndaluar, një 48-vjeçar që ndodhej ende në liri, dhe dy të rinj rreth të 20-ave, të vendosur në arrest shtëpiak.
Ndër italianët e përfshirë janë një 33-vjeçar, gjithashtu në arrest shtëpiak, dhe një 22-vjeçar.
Të dyshuarit po hetohen për vepra të rënda penale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike, zhvatjen, armëmbajtjen pa leje dhe përdorimin e paligjshëm të telefonave celularë brenda institucioneve penitenciare.
Në qendër të hetimit janë dy episode të rënda të përdorimit të armëve të zjarrit, të cilat hetuesit i kanë cilësuar si të dyshuara për ekspedita ndëshkuese të organizuara në kuadër të konflikteve për borxhe nga droga.
Rasti më i fundit lidhet me një ngjarje të ndodhur më 8 janar 2026, pranë banesës së familjes së një të burgosuri.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, ky i fundit dyshohet se i detyrohej grupit një shumë parash për një kilogram kokainë.
I burgosuri arriti të paralajmëronte bashkëshorten nga brenda qelisë, pasi ajo po kthehej në shtëpi me një fëmijë të vogël.
Ai i tha se pranë hyrjes së banesës ndodheshin dy persona që mund ta sulmonin.
Gruaja ndryshoi drejtim dhe njoftoi karabinierët në një stacion në provincën e Ravenës.