Gjykata e Lartë Rishqyrton Rastin e Zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë

Gjykata e Lartë ka shfuqizuar aktgjykimet lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona, dhe ka vendosur ta kthejë lëndën për rigjykim.

Në vendimin e saj, Gjykata ka evidentuar mangësi të rënda në arsyetimet e gjykatave më të ulëta, sidomos sa i përket lidhjes shkak-pasojë mes veprimeve të të akuzuarve dhe tragjedisë, si dhe në vlerësimin e provave për shkaqet dhe përhapjen e zjarrit.

Vendimi është marrë më 22 tetor dhe është bërë publik sot nga Gjykata e Lartë.

Kështu, janë pranuar kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimeve të formës së prerë, të paraqitura nga dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Tetovës i 16 majit 2025 dhe ai i Gjykatës së Apelit në Gostivar i 26 nëntorit 2025 janë shfuqizuar.

Në vendimin e shkallës së dytë, të dy ish-drejtorët ishin dënuar me nga tri vjet burg për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Gjykata e Lartë thekson se gjykatat më të ulëta nuk kanë sqaruar mjaftueshëm se mbi cilat prova kanë arritur në përfundimin se dy të akuzuarit kanë vepruar si bashkëkryerës.

Po ashtu, nuk është bërë e qartë se cilat prova kanë treguar se ata bashkërisht nuk kanë siguruar pajisjet e nevojshme kundër zjarrit dhe rrjetin e hidrantëve.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjes nëse mungesa e pajisjeve kundër zjarrit ka shkaktuar shpërthimin e zjarrit apo ka ndikuar në përhapjen e tij dhe pasojat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *