Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se qeveria ka hartuar një plan të ri masash për mbështetje ndaj familjeve në nevojë dhe studentëve.
Ai gjithashtu njoftoi fillimin e një konsultimi publik për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se në buxhetin e ri është parashikuar transformimi i bonusit të bebes në një skemë të rregullt mbështetjeje mujore për fëmijët, me qëllim që të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat e familjeve.
Rama gjithashtu përmendi ndikimin e rrjeteve sociale në shoqëri, sidomos te të rinjtë.
Ai shprehu shqetësimin se përdorimi i këtyre platformave ka nxitur një formë vetmie që përbën rrezik për bashkëjetesën demokratike dhe ndërveprimin fizik mes individëve.
Në këtë kontekst, ai sugjeroi hapjen e një debati në lidhje me kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së një kufiri moshe 16 ose 18 vjeç.
Kryeministri njoftoi se qeveria do të fillojë një proces konsultimi me mësuesit, prindërit dhe shkollat, për të diskutuar mbi këtë çështje, duke iu referuar edhe konsultimit të mëparshëm për kufizimin e TikTok-ut. “Ne sot kemi një subvencionim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat e papuna që rrisin fëmijë të mitur dhe që janë kryefamiljare, por nuk mjafton.
Në buxhetin e ri kemi vendosur që bonusin e bebes ta transformojmë në një skemë mbështetjeje të rregullt për fëmijët çdo muaj, që të ndikojmë në të ardhurat e familjeve që kanë një fëmijë më shumë.
Kemi vendosur të rrisim më shumë se dyfish mbështetjen financiare për studentët që vijnë nga familjet në nevojë, e cila do të shkojë në nivelin e gjysmës së pagës minimale.
Mbi të gjitha, unë besoj shumë fort që kjo situatë e re, e gatuar me vite në Europë dhe në Shqipëri, si rezultat i arsyeve që janë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve.
Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët.
Duhet hapur debati se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve, deri në çfarë kufiri moshe, 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale.
Ne do të fillojmë një konsultim, siç bëmë në rastin kur na u desh të kufizonim TikTok-un.
Do të fillojmë një diskutim me mësuesit, prindërit dhe shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit.” – tha Rama, ndërsa ishte prezent në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
Po ashtu, kryeministri pohoi se nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00. “Puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile të interesuar për këtë pjesë, për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura dhe në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, me artin, filmin dhe fotografinë e me radhë.
Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm.
Kemi vendosur një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të punojnë dhe fëmijët të jenë në mjediset e shkollës deri në 17:00 pasdite,” përfundoi Rama.