Ndryshimi i masave ajrore që pritet të vijë nga Veriu i Europës gjatë ditës së shtunë do të sjellë një ftohje të dukshme të motit në Shqipëri, përveç alternimeve mes kthjellimeve dhe vranësirave të shpeshta.
Vranësirat më të forta do të përqendrohen në gjysmën Lindore, ku do të kemi reshje shiu, ndonjëherë në formë rrebeshi.
Edhe në zonat malore priten sërish reshje dëbore.
Pasditja do të vazhdojë me vranësira dhe reshje shiu e dëbore, sidomos në zonat Jugore-Juglindore, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të dominohet nga vranësira të dendura dhe kthjellime të shkurtëra.
Temperaturat e ajrit do të bien, duke u luhatur nga 4°C si temperatura më e ulët deri në 22°C si vlera maksimale në rang vendi.
Era do të fryjë me intensitet mesatar, duke arritur shpejtësinë mbi 40 km/h, kryesisht nga drejtimi Verilindor, çka do të krijojë dallgëzim 2 ballë në brigjet detare.