Policia e Kosovës ka raportuar për shtatë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit, të evidentuara në Prishtinë, Drenas, Obiliq dhe Malishevë.
Sipas raportit policor, disa nga këto raste lidhen me dhunë psikike dhe kanosje ndaj bashkëshorteve, ndërsa është evidentuar gjithashtu një rast i dhunës fizike.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se për një periudhë të gjatë kishte përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk bashkëjeton prej disa muajsh.
I dyshuari është arrestuar dhe, sipas vendimit të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në kryeqytet është raportuar një rast tjetër ku një grua ishte kanosur nga ish-bashkëshorti i saj, i cili dyshohej se kishte armë zjarri në shtëpi.
Policia ka kryer një bastisje në shtëpinë e tij me urdhër të prokurorit, por nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë.
Edhe ky i dyshuar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Në dy raste të tjera në Prishtinë, bashkëshortët janë dyshuar se kanë ushtruar dhunë psikike dhe kanosur bashkëshortet e tyre.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.
Pas marrjes në pyetje, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Pejë, një grua ka raportuar se vazhdon të merr mesazhe nga ish-bashkëshorti, nga i cili ka frikë.
Sipas raportit të Policisë, ajo ishte ndarë nga bashkëshorti para disa muajsh dhe kanë dy fëmijë së bashku, ndërsa procedura e shkurorëzimit është duke u zhvilluar në gjykatë.
I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Raste të dhunës në familje janë raportuar gjithashtu në Drenas dhe Obiliq.
Në Drenas, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur bashkëshorten, ndërsa është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Obiliq, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj, por i dyshuari nuk është gjetur dhe rasti është duke u hetuar.