Buxheti i Kosovës për vitin 2027: Investime mbi 1 miliard euro për zhvillimin ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet të miratohet të hënën në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

Ai ka paralajmëruar se për herë të parë, buxheti për investime kapitale do ta kalojë vlerën prej një miliard eurosh.

Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të fokusohet në projekte kapitale, përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e kushteve të punës. “Ky është buxhet i rrugëve, hekurudhave dhe i digave.

Për herë të parë, buxheti për investime kapitale do të tejkalojë vlerën 1 miliardë euro”, deklaroi Kurti.

Ai gjithashtu njoftoi se buxheti për komunat do të arrijë gjithsej 908 milionë euro, duke e cilësuar këtë si një rritje prej dy të tretash krahasuar me buxhetin që, sipas tij, e kishte trashëguar Qeveria.

Kurti shpjegoi se kjo rritje është rezultat i mbështetjes së vazhdueshme përmes granteve qeveritare.

Ai foli edhe për fondet që Kosova pritet t’i përfitojë nga Bashkimi Evropian dhe mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

Sipas tij, për periudhën 2026–2027, Kosova pritet të përfitojë 180.5 milionë euro nga fondet e paraanëtarësimit IPA, ndërsa këtë vit ka siguruar 119 milionë euro grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor.

Nga këto grante, 90 milionë euro janë paraparë për impiantin e ujërave të zeza në Prishtinë dhe 23.8 milionë euro për impiantin në Podujevë.

Kurti përmendi gjithashtu 61.8 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes, si dhe kërkesën për lirimin e 153 milionë eurove për reformat e zbatuara deri në qershor.

Ai theksoi se Qeveria po i përshpejton hapat për përmbushjen e afatit të dhjetorit, pas vonesave që, sipas tij, janë shkaktuar nga bllokadat politike.

Ndërkaq, Kurti përfundoi duke theksuar se miratimi i ligjit për SEPA-n, më 15 tetor, pritet t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve kursime të rëndësishme prej rreth 55 milionë eurosh në vit nga transferet bankare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *