Një 19-vjeçar me shtetësi gjermane dhe kosovare po hetohet për përgatitjen e dyshuar të një sulmi terrorist në Gjermani.
Sipas raportimeve, një 23-vjeçar nga Unna është arrestuar nga autoritetet, duke e lidhur atë dhe të rinjtë e tjerë me diskutimet për kryerjen e një sulmi dhe sigurimin e armëve automatike gjatë muajit shtator.
Forcat speciale kryen bastisje në banesa në Unna dhe Hagen më 1 tetor, por nuk arritën të gjenin armë.
Sipas burimeve, autoritetet kishin monitoruar komunikimet mes tyre, por objektivi i mundshëm i sulmit mbetet ende i paqartë. 23-vjeçari ndodhet në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, ndërsa për 19-vjeçarin nga Hagen nuk u caktua paraburgim pasi nuk u gjetën arsye ligjore për këtë masë.
Në hetime janë përfshirë gjithashtu dy shtetas sirianë, por ndaj tyre nuk është ngritur akuzë për mungesë provash.