Sot shënohet Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, një ngjarje e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës A/RES/68/163 në vitin 2013.
Në 14 vitet e fundit, më shumë se 1.000 gazetarë janë vrarë për shkak të raportimeve të tyre dhe ofrimit të informacionit për publikun.
Në 9 nga 10 raste, vrasësit e këtyre gazetarëve kalojnë të pandëshkuar.
Mosndëshkimi rezulton në një rritje të numrit të vrasjeve dhe shpesh është një simptomë e përkeqësimit të konflikteve dhe dobësimit të ligjit dhe sistemeve gjyqësore.
UNESCO shpreh shqetësim se kjo pandëshkueshmëri dëmton shoqëritë duke mbuluar abuzime serioze të të drejtave të njeriut, korrupsionin dhe krimin.
Rezoluta e OKB-së u kërkon shteteve anëtare të zbatojnë masa që të sfidojnë kulturën aktuale të pandëshkueshmërisë.
Kjo rezolutë dënon të gjitha sulmet dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, dhe nxit shtetet të bëjnë çmos për të parandaluar dhunën ndaj tyre, për të siguruar përgjegjshmëri dhe për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve kundër gazetarëve.
Njëkohësisht, ajo kërkon që viktimat të kenë qasje në mjete të përshtatshme juridike.
Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj krimeve kundër gazetarëve është caktuar në përkujtim të vrasjes së dy gazetarëve francezë në Mali më 2 nëntor 2013.
Ngjarja kryesore për të festuar këtë ditë në vitin 2021 do të jetë një tryezë e rrumbullakët e nivelit të lartë, organizuar nga Ossigeno per l’informazione dhe mbështetur nga UNESCO, më 3 nëntor 2021 në Sirakuza të Italisë.
Kjo ngjarje do të ofrojë një platformë për dialog mes prokurorëve dhe gazetarëve për masat parandaluese dhe mbrojtëse që adresojnë sigurinë e gazetarëve, duke nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të shërbimeve të prokurorisë në hetimin dhe ndjekjen penale të vrasjeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.