Tronditje në komunitetin shqiptar në Itali: Një djalë vret nënën e tij

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali.

Një 21-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij 39-vjeçare në banesën e tyre në qytetin Chiari, në provincën e Breshias.

Sipas raportimeve, viktima është M.L, ndërsa djali i saj është E.XH.

Familja ka origjinë shqiptare.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës mes 2 dhe 3 nëntorit, në banesën e familjes në rrugën Via Tagliata.

Pas krimit, 21-vjeçari është larguar nga banesa dhe ka shkuar vetë në stacionin e Karabinierëve në Kremona.

Raportimet italiane tregojnë se ai ka pranuar se e ka vrarë nënën e tij.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar motivin, i cili ende nuk është bërë i ditur.

Meleqe Lusha e kishte rritur të birin e vetme, duke pasur mbështetje nga vëllezërit e saj, që gjithmonë ishin pranë familjes.

Katër vëllezërit e viktimës kanë mbërritur në banesë pas ngjarjes.

E.XH kishte studiuar në Chiari dhe punonte në një fabrikë.

Ai kishte jetuar në Chiari që nga fëmijëria dhe kishte ndjekur mësimet në institutin Einaudi.

Përveç kësaj, kishte përfunduar një periudhë praktike në një agjenci imobiliare të drejtuar nga Dennis Beqiri, kryetar i shoqatës së shqiptarëve në Chiari.

Sipas mediave lokale, ai punonte si punëtor në një fabrikë të zonës.

Beqiri, duke folur për mediat italiane, ka shprehur tronditjen e komunitetit shqiptar, duke e përshkruar 21-vjeçarin si një djalë të sjellshëm, serioz dhe të respektuar.

Ai ka theksuar se edhe nëna e tij ishte një person shumë i mirë dhe se kishte mbështetur djalin e saj me ndihmën e vazhdueshme të vëllezërve të saj. “Jemi të tronditur.

Nuk i dimë arsyet e këtij veprimi dhe nuk arrijmë ta kuptojmë”, ka thënë Beqiri.

Edhe kryetari i qytetit Chiari, Gabriele Zotti, e ka cilësuar ngjarjen si një rast të pakuptueshëm, duke shprehur solidaritetin me familjen e viktimës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *