Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është duke marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që po zhvillohet në Berlin, ku po trajtohen sfidat aktuale të sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë.
Në këtë konferencë, Maqedonci është ftuar si panelist në një debat të nivelit të lartë me temën “Parandalimi përmes vigjilencës: Si të frenohet ndërhyrja ruse?”.
Në këtë diskutim, përveç ministrit kosovar, marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të NATO-s dhe Gjermanisë.
Sipas njoftimit, gjatë panelit është folur për kërcënimet që vijnë nga ndërhyrjet dhe ndikimi rus, si dhe për sfidat e sigurisë evropiane.
Rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë është një tjetër temë e rëndësishme e këtij diskutimi.
Konferenca e Sigurisë në Berlin mbledh përfaqësues të lartë politikë, diplomatikë dhe ushtarakë nga vende të ndryshme për të trajtuar çështje të rëndësishme të sigurisë dhe mbrojtjes.