Rastet e Kancerit në Kosovë për Vitin 2025: Një Pasqyrë e Situatës Shëndetësore

Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë regjistruar 3 mijë e 775 raste të reja me kancer.

Këtë e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, i cili ka publikuar “Raportin e sëmundjeve malinje për periudhën janar-dhjetor 2025”.

Sipas këtij raporti, gratë përbëjnë 51% të rasteve të reja të prekura me kancer, ndërsa burrat 49%.

Grupi moshor më i prekur është ai mbi 60 vjeç.

Kanceri i gjirit dhe kanceri i organeve gjenitale femërore janë tumoret më të shpeshta tek gratë, ndërsa tek burrat, më së shpeshti paraqitet kanceri i lëkurës, i mushkërive dhe prostatës.

Raporti gjithashtu tregon se numri total i personave me sëmundje malinje të raportuar gjatë vitit 2025, duke përfshirë edhe pacientët e diagnostikuar në vitet e mëparshme, është 5 mijë e 564 persona.

IKSHPK ka sqaruar se të dhënat janë mbledhur nga institucionet shëndetësore publike dhe private të Kosovës, përmes Regjistrit Popullativ të Sëmundjeve Malinje.

Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve të reja, gjithsej 652.

Pas saj vijnë: Peja me 259 raste, Gjakova dhe Prizreni me nga 236 raste, Ferizaj me 209, Mitrovica me 188, Podujeva me 172 dhe Vushtrria me 169 raste.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka theksuar se në këtë raport nuk janë raportuar të gjitha të dhënat siç duhet. “Besojmë se ky publikim do të shërbej si informacion dhe motivim për ata që nuk raportuan si duhet dhe që do të shohin se një pjesë e punës së tyre nuk është prezantuar në këtë raport për shkak të mos raportimit”, thuhet në parathënien e këtij raporti.

Sipas llojeve të kancereve, ai i organeve tretëse është më i shpeshti.

Raporti bën të ditur se rastet më të shpeshta janë kanceri i lëkurës, ai i gjirit, i organeve gjenitale femërore, organeve të frymëmarrjes dhe traktit urinar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *