Katër shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Angli për përfshirje në një seri vjedhjesh në banesa në Londër, ku cak kishin familjet nga komuniteti i Azisë Jugore dhe ku u vodhën sende me vlerë mijëra paund.
Hetimet e Policisë Metropolitane zbuluan lidhjen mes autorëve përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, provave forenzike, të dhënave telefonike dhe historikut të udhëtimeve me kartat Oyster, të cilat përdoren për transportin publik në Londër.
Sipas Policisë Metropolitane, Çlirim Ferizi, 26 vjeç, u dënua me dy vjet burgim në Gjykatën Mbretërore të Isleworth, më 20 gusht.
Bashkëpunëtori i tij, Oresti Saliaj, 40 vjeç, ishte dënuar më herët, më 22 prill, me tre vjet e gjashtë muaj burgim.
Dy personat ishin përfshirë në disa vjedhje në banesa në zonat Ruislip, Barnet dhe Harrow, duke synuar kryesisht familjet nga komuniteti i Azisë Jugore, me bindjen se në pronat e tyre do të gjenin bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë të lartë.
Ndër sendet e vjedhura ishin një orë Rolex me vlerë 7 mijë paund, një palë vathë ari me vlerë 1 mijë e 500 paund dhe një unazë antike me vlerë 1 mijë e 200 paund.
Hetimi nisi pas një vjedhjeje në një banesë në Ruislip, në muajin shkurt.
Shqyrtimi i pamjeve të kamerave të sigurisë zbuloi se të dyshuarit kishin vëzhguar paraprakisht pronën dhe lëvizjet e pronares, para se të hynin me forcë dhe të merrnin sendet me vlerë.
Në një tjetër rast, ata u filmuan duke hyrë me forcë në një banesë dhe duke u larguar me një çantë të mbushur me sende të vjedhura.
Pamjet e kamerave treguan gjithashtu lëvizjet e tyre me autobus dhe metro para dhe pas vjedhjeve.
Megjithëse në një nga rastet dy personat kishin përdorur maska për të fshehur identitetin, hetuesit arritën t’i identifikonin përmes gjurmimit të udhëtimeve të tyre dhe analizimit të të dhënave të kartave Oyster.
Pas arrestimit të tyre, më 23 mars, policia u gjeti të dyve kartat e udhëtimit.
Analizimi i tyre siguroi regjistra digjitalë me oraret e sakta të lëvizjeve, duke i lidhur të dyshuarit me zonat ku ishin kryer vjedhjet.
Të dhënat bankare të Ferizit treguan gjithashtu se ai kishte rimbushur kartën Oyster në stacionin e Ruislip.
Rreshteri i detektivëve Ross Smith, i cili drejtoi hetimin, tha se autorët kishin shënjestruar qëllimisht familjet brenda banesave të tyre, duke u shkaktuar viktimave shqetësim emocional dhe frikë.
Ai theksoi se kombinimi i provave, përfshirë të dhënat e kartave Oyster, kishte ndihmuar në ndërtimin e një dosjeje të fortë hetimore dhe identifikimin e autorëve.
Edhe dy shqiptarë të tjerë dënohen për vjedhje.
Në kuadër të hetimeve të tjera për vjedhje të ndërlidhura në Londër, Policia Metropolitane ka arrestuar dhe proceduar edhe shtetasit shqiptarë Hetaj Dionis, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç.
Sipas policisë, ata kishin kryer një seri vjedhjesh në zonën e Hayes, duke shënjestruar banesat e familjeve nga komuniteti i Azisë Jugore, gjatë një periudhe tetëditore.
Dionis u arrestua më 19 janar, pasi policët e gjetën në çatinë e një banese në Ealing, ku kishte tentuar t’i shpëtonte arrestimit.
Atij iu gjet një levë hekuri dhe sende të vjedhura nga prona.
Ndërkaq, Cuka u lokalizua dhe u arrestua më 4 mars.
Të dy u dënuan me një total prej pesë vjetësh burgim në Gjykatën Mbretërore të Isleworth, më 23 prill.
Policia Metropolitane ka bërë të ditur se hetimet për këto raste janë mbështetur në pamjet e kamerave të sigurisë, kamerat e zileve të dyerve, të dhënat telefonike dhe regjistrat e udhëtimeve.