Reagimi i Rrjetit për të Drejtat e Njeriut ndaj Kërcënimeve ndaj Aktivisteve Feministe në Kosovë

Rrjeti për të Drejtat e Njeriut ka dënuar ashpër fushatat denigruese dhe kërcënimet që iu janë bërë Anita Nikajt dhe aktivisteve të tjera feministe, të cilat po protestojnë kundër femicidit në Kosovë.

Në një reagim publik, ky rrjet ka theksuar se përpjekjet për të diskredituar aktivizmin e tyre dhe për t’i paraqitur kërkesat për drejtësi si të motivuara politikisht shkelin të drejtën e grave për protestë dhe rrezikojnë sigurinë e tyre.

Sipas këtij reagimi, kërcënimet ndaj Nikajt dhe aktivisteve të tjera janë raportuar në Policinë e Kosovës nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, së bashku me vetë Nikajn.

Rrjeti për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar që këto kërcënime të trajtohen me seriozitetin më të lartë, duke theksuar se kërcënimet me dhunë seksuale dhe vrasje, si në internet ashtu edhe jashtë tij, janë forma të intimidimit që synojnë të heshtin pjesëmarrjen e grave në jetën publike.

Në këtë drejtim, organizatat i kanë bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetime penale sipas detyrës zyrtare për kërcënimet online ndaj aktivistëve të shoqërisë civile.

Po ashtu, Policisë së Kosovës i është kërkuar të identifikojë pa vonesë personat përgjegjës, të ruajë provat digjitale, të sigurojë llogaridhënie dhe të ndërmarrë masa për mbrojtjen e personave të shënjestruar.

Rrjeti u ka bërë thirrje edhe zyrtarëve publikë dhe përfaqësuesve politikë që t’i dënojnë këto sulme, ndërsa mediave, figurave publike dhe përdoruesve të rrjeteve sociale u ka kërkuar të përmbahen nga shpërndarja e përmbajtjeve poshtëruese dhe të refuzojnë gjuhën seksiste. “Qëndrojmë në solidaritet të plotë me aktivistet e shënjestruara dhe me të gjitha gratë që përballen me dhunë sepse refuzojnë të heshtin.

Kërkesa e tyre për një jetë të sigurt dhe me dinjitet na përket të gjithëve”, thuhet në reagim.

Reagimi është nënshkruar nga organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut: Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSG), Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe HANDIKOS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *