Në një shoqëri që përjeton anomi, vërehen fenomene të tilla si humbja e besimit në institucione, relativizimi i moralit, rritja e korrupsionit dhe ndjenja e përgjithshme e padrejtësisë sociale.
Kjo gjendje ka një ndikim të thellë edhe në shëndetin mendor të popullsisë, duke rritur nivelet e stresit, ankthit dhe depresionit.
Mijëra shqiptarë jetojnë jashtë vendlindjes së tyre, një shifër që, përtej statistikës, fsheh një nga fenomenet më enigmatike dhe ironike të kohës sonë: i njëjti njeri, me të njëjtat duar dhe të njëjtin tru, i cili në Kosovë kalonte kohën duke luajtur me lugën e makiatos nëpër kafenetë e qytetit, në Gjermani apo Zvicër zgjohet në orën pesë të mëngjesit për të bërë çdo lloj pune, madje edhe me orar të zgjatur.
Ky paradoks nuk është rastësor, por është produkt i një sistemi – ose, më saktë, i mungesës absolute të një sistemi funksional në vendlindje.
Sociologu i njohur francez, Émile Durkheim, e quajti anomi atë gjendje shoqërore ku normat sociale dhe morale humbasin forcën e tyre.
Kur sistemi korruptohet – kur nepotizmi mposht meritën, kur korrupsioni bëhet e vetmja rrugëkalim, dhe kur lidhjet familjare e partiake hapin dyer që talenti i pastër nuk i hap dot, njeriu thjesht ndalon së besuari te puna.
Kosova e pasluftës, e tranzicionit të stërzgjatur dhe e reformave të mbetura në gjysmë të rrugës, është një shembull i gjallë i kësaj anomie kolektive.
Rinia shqiptare nuk u bë dembele nga natyra; ajo u tregua racionale.
Pse të punosh shumë, kur rezultati i jetës tënde nuk varet nga ti, por nga dikush tjetër?
Kur një i ri shqiptar vendoset në një shoqëri perëndimore, ndodh një thyerje e fuqishme psikologjike.
Ai sheh me sytë e tij distancën midis asaj që ka aktualisht dhe asaj që mund të arrijë nëse përpiqet.
Kjo distancë e dukshme dhe e prekshme shndërrohet në karburantin e tij të veprimit.
Nuk është se sistemi i ri perëndimor e transformon atë në një “person tjetër” përmes ndonjë magjie; ai thjesht i jep një arsye të fortë për të punuar.
Sepse, atje, puna e palodhur dhe konkurrenca e ndershme e çojnë individin në dimensione që më parë i dukeshin të paarritshme.
Sistemi ekonomik perëndimor nuk e “reformon” emigrantin shqiptar me predikime; ai thjesht i ofron rregulla të qarta loje: Dil në punë, paguaj taksat, respekto ligjin.
Dhe, sistemi ia kthen mbrapsht me: siguri, pagesë të drejtë, dinjitet dhe një garë të shëndetshme.
Ky reciprocitet – kjo kontratë shoqërore funksionale – është saktësisht ajo që mungon në vendlindje.
Kur shteti nuk mban anën e tij të kontratës, qytetari racional e braktis atë.
Brezi i parë i emigrantëve ruan gjithmonë kujtesën e vështirësisë.
Ata punojnë me një intensitet të jashtëzakonshëm pikërisht sepse janë produkt i anomisë që lanë pas.
Ndërsa, brezi i dytë, i lindur dhe i rritur në mirëqenien perëndimore, e humbet plotësisht këtë densitet pune. Është sikur motori i motivimit të brezit të parë të funksiononte me një lëndë djegëse specifike: frika nga varfëria, trauma e papunësisë, turpi i dështimit para familjes dhe revolta ndaj padrejtësive të vendlindjes.
Kur kjo lëndë djegëse konsumohet ose nuk ekziston më tek të rinjtë e lindur jashtë, efekti zbehet.
Për këtë arsye, zgjidhja e krizës sonë demografike nuk qëndron te thirrjet patetike për “t’i bindur emigrantët të kthehen”.
Rrugëdalja e vetme është të ndërtojmë në Kosovë një vend që i bën ata të dëshirojnë vetë të kthehen.
Zgjidhja ka emra të thjeshtë: Meritokraci.
Drejtësi.
Domethënë, saktësisht ato gjëra që shqiptarët u detyruan t’i kërkojnë dhe i gjetën jashtë kufijve të tyre.