Ndikimi i Zgjedhjeve të Mesmandatit në Politikat Amerikane ndaj Kosovës

Laura Kryeziu, analiste politike dhe njohëse e procesit zgjedhor amerikan, ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të mbrëmshme të mesmandatit në Amerikë ishin shumë më tepër se një fitore e thellë partiake për demokratët.

Në një analizë për ndikimin e këtyre rezultateve në raport me Kosovën, Kryeziu shkruan se për Kosovën, ndryshimi i shumicës në Kongres është strategjik, veçanërisht përballë sfidave të sigurisë, dialogut me Serbinë dhe synimit tonë për integrim euroatlantik.

Megjithatë, sipas saj, kjo nuk nënkupton automatikisht ndryshim të politikës amerikane ndaj Kosovës. “Rezultatet e zgjedhjeve të mbrëmshme të mesmandatit në Amerikë ishin shumë më tepër se një fitore e thellë partiake për demokratët.

Ishin një fitore e jashtëzakonshme, e përmasave që demokratët nuk e kanë arritur që nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90.

Por, mbi të gjitha, kjo ishte një shprehje e qartë e pakënaqësisë së votuesve dhe një reagim i drejtpërdrejtë ndaj administratës Trump dhe kontrollit republikan mbi Kongresin dhe Senatin.” Këtë herë, votuesit nuk u orientuan nga ideologjia apo premtimet politike, por nga realiteti i përditshëm: kostoja e jetesës, çmimet e larta dhe pasiguria ekonomike.

Fitoret historike në shtete tradicionalisht republikane, si Texas, Kansas, South Carolina, Ohio dhe Iowa, e bëjnë edhe më të fuqishëm mesazhin e kësaj vote.

Marrja e kontrollit të të dy dhomave të Kongresit nga demokratët krijon një realitet të ri politik për Presidentin Trump.

Në thelb, politika amerikane po rikthen në qendër një nga parimet themelore të demokracisë amerikane: Check and Balance, pra kontrolli dhe balanca e pushtetit, ku asnjë institucion nuk mund të veprojë pa u mbikëqyrur nga institucionet e tjera.

Gjatë dy viteve të ardhshme, administrata do të përballet me më shumë mbikëqyrje, negociata dhe nevojë për kompromis.

Ky është edhe një prej elementeve që e dallon demokracinë amerikane: votuesit mund ta ndryshojnë balancën e pushtetit edhe pa e ndryshuar presidentin.

Ndryshimi i balancës politike në Washington ka rëndësi përtej kufijve të Amerikës.

Për Evropë dhe aleatët e saj, kjo mund të sjellë më shumë parashikueshmëri në marrëdhëniet transatlantike.

Sepse, Kongresi ka një rol thelbësor në financimin, mbikëqyrjen dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike të SHBA-së.

Për Kosovën, ndryshimi i shumicës në Kongres ka rëndësi të drejtpërdrejtë strategjike, sidomos përballë sfidave të sigurisë, dialogut me Serbinë dhe synimit tonë për integrim euroatlantik.

Por kjo nuk nënkupton automatikisht ndryshim të politikës amerikane ndaj Kosovës.

Prandaj, është në interesin tonë të ndërtojmë mbështetje të qëndrueshme dypartiake në Washington, si në Kongres e Senat, ashtu edhe në administratë.

Miqësia historike me SHBA-në është një kapital i çmuar, por duhet të shoqërohet me diplomaci aktive dhe me dëshmi se Kosova është një partner serioz, i qëndrueshëm dhe i besueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *