Policia e Shtetit pritet të ketë mbështetje financiare më të madhe në vitin 2027, me një buxhet prej 33.6 miliardë lekësh (270 milionë euro), që shënon një rritje prej 20% krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo rritje e financimit vjen në një periudhë kur përplasjet e fundit mes policisë dhe protestuesve kanë provokuar një debat të ri mbi pajisjet, metodat e ndërhyrjes dhe përdorimin e forcës nga uniformat blu.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, theksoi se 3.3 miliardë lekë janë parashikuar për rritjen e pagave të efektivëve, ndërsa fondet e tjera do të investohen në modernizimin dhe fuqizimin operacional të policisë.
Në kuadër të këtij projekti, 434 milionë lekë do të shkojnë për pajisje speciale, 293 milionë për pajisje të Policisë së Shtetit, 175 milionë për rinovimin e flotës së automjeteve dhe 60 milionë lekë për automjetet speciale.
Demo theksoi se rritja e financimit duhet të shoqërohet me standarde më të larta profesionale dhe llogaridhënie. “Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë nga policia jo vetëm siguri, por edhe sjellje korrekte dhe shërbim profesional.
Mbështetja për uniformën dhe llogaridhënia për çdo veprim të saj duhet të ecin së bashku”, deklaroi ministri Demo.
Diskutimi në Komision u përqendrua gjithashtu te pajisjet e përdorura gjatë protestave të fundit.
Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, kërkoi shpjegime për autobotet me ujë, dronët dhe gazin lotsjellës, duke pyetur nëse këto mjete janë blerë me fondet e buxhetit të shtetit apo janë dhuruar nga vende europiane.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e dronëve mbi protestuesit dhe rrezikun që, sipas tij, mund të paraqesin për sigurinë e tyre.
Kapri kërkoi nga ministri të sqarojë bazën ligjore të përdorimit të këtyre pajisjeve dhe mënyrën se si janë siguruar.
Në përgjigjen e tij, Demo nuk dha detaje mbi origjinën apo koston e autobotëve dhe dronëve, por u ndal te ligjshmëria e veprimeve të policisë dhe rastet e hetimit disiplinor. “Policia e Shtetit përdor të gjithë ata elementë të miratuar dhe vendime që kanë të bëjnë me policinë.
Jam i bindur se kjo është ajo çfarë ka ndodhur.
Standardi ynë është shumë i thjeshtë, ne sot kemi 9 punonjës policie të pezulluar për raste individuale”, u shpreh Demo.
Ministri gjithashtu bëri të ditur se 50 raste janë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, duke theksuar se institucionet janë të hapura për hetimin e çdo rasti të përdorimit të tepruar të forcës.
Ndërkohë, sipas Demos, projekti “Smart City”, një nga investimet strategjike për rritjen e sigurisë publike, do të financohet me rreth 2 miliardë lekë financim të huaj dhe 1 miliard lekë për TVSH-në.